Libri

GJEOGRAFIA SHPIRTËRORE E POEZISË SË SABIT RRUSTEMIT

(Vështrim kritik për vëllimin me poezi “Pa një vdekje mbes” të Sabit Rustemit, botim i shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, 2016)

  Nga Fatmir Minguli

Krejt harroj që është e martë

kur më shfaqet ajo që e pres

brenda jetës pa një vdekje mbes.

Nga poezia “Pa një vdekje mbes”

Kisha kohë pa shkruar për poetët gjilanas, poetë për të cilët kam konsideratë të veçantë. Por rasti e pruri që të njihem me librin me poezi ” Pa një vdekje mbes” të poetit Sabit Rrustemi, një vëllim ndoshta gjithëpërfshirës për poezinë e tij.

Edhe në këtë vëllim poeti Rrustemi të befason me krijimet e tij, të befason me ndërthurjen e epikës me lirikën, të befason me shtegtimet e tij sa virtuale aq dhe konkrete.

Një libër që përcjell te lexuesi poezi të viteve të fundit, një libër që sjell zanat e maleve midis njerëzve të thjeshtë, një libër naimian me ” Bagëti e bujqësi ” tashmë të krahinës së Karadakut. Mes këtyre përkushtimeve pa tjetër ndodhen lirikat e dashurisë ndaj femrës, të kombinuara bukur me dashurinë universale.

Sabit Rrustemi sjell poezinë e jetës kosovare me një stil origjinal, një stil që e ka shpalosor kohë më parë në librat e “grafiteve”. Ai është gjahtari i së bukurës dhe luftëtar ndaj të keqes, së shëmtuarës. Vuajtjet e tij dhe vuajtjet e popullit të tij janë tema e shumë poezive në këtë libër.

Në poezine “Ato që na mbetën” shkruan:” bima e zemrës as tash nuk iu tha” duke na dhënë vuajtjet e atyre që u burgosën nga serbët, ku me një filozofi të kuptueshme, ngre lart shpirtin e intelektualit kosovar, edhe të poetit kur ata mbetën optimistë për lirinë që do fitohej.

Dhe është e qartë se optika e poetit Rrustemi nuk le pa kapur dhe ata pak intelektualë që luajtën role negative, ku:

Vjen një ditë kur askush

s’mund ta fshehë më fytyrën

as të aktrojë rolin e engjëllit

Dhe si për të forcuar idenë time mbi optimizmin e Rrustemit, mjafton të përmendim poezinë ” Kur shkunden blinjtë midis Prishtinës” ku shfaqet romantizëm i këtij poeti gjilanas, një romantizëm që duhet trajtuar më shumë nga kritika letrare. Kudo nëpër faqet e këtij libri ndjehet triumfi i romantizmit modern, të kohës sonë, romantizëm që nuk kap vetëm bukuritë e qyteteve por të gjithë gjeografinë e ku kulmon maja e Çepurit të tij legjendar dhe ndalon edhe tek lulja poshtë një guri.

Libri “Pa një vdekje mbes” është antologjia e filozofimit të jetës jo vetëm të krahinës native të poetit Sabit Rrustemi, por për të gjithë motivet jetësore që populli kosovar ka përjetuar . Në poezitë “Mëria e reve” , “Filozofia e durimit”, “ Udhëzim për vete dhe për të tjerët” ,” Apokalipsi kalëron pa fre”, nëpërmjet përsiatjeve qiellore ai percepton filozofikisht çështjet e sotme në tokën amë.

Tek lexon me dhjetra poezi për Karadakun dhe Gjilanin, për Çepurin dhe Kumanovën, Butrintin, Mitrovicën, Zhegrën e shumë vende të tjera bindesh që kjo gjeografi është thelbi i poezisë së botuar në librin “ Pa një vdekje mbes”.

Por nuk është vetëm ky aspekt i këtyre poezive. Krahas shpirtit shpërthyes autori na sjell përsiatje të fuqishme për historinë duke paralelizuar në krejt trojet shqiptare, prandaj edhe zhytet me mendjen e tij deri dhe në thellësitë e detit Jon dhe në tragjeditë e ndodhura kohë më parë.

Jo vetëm kaq, por Sabit Rrustemi këto paralele i çon dhe në Paris, edhe në Amerikë duke shpalosur shpirtrat heroikë të trimave shqiptarë ndër vite, në luftë për lirinë.

Duke parë me kujdes këtë tematikë interesante vëren se te kjo gjeografi poetike ndërthuret dhe një trinitet i veçantë, ai i lirisë, trimave dhe poetëve apo mësuesve. Gjiithmonë i përkushtuar në okielon e lirisë së shqiptarëve, ai tek poezia “Kodi i kohërave” kushtuar Idriz Seferit e ngre këtë hero në piedestal duke ndriçuar figurën madhore të heroit të popullit kosovar dhe krijon “Kodin e trimave”.

Në vështrime të tjera poezitë e Sabit Rustemit dallohen edhe në këto aspekte :

1.-Vinë me një humor të hollë por therës për fenomenet e sotme negative si në poezinë “Në akademi”, “ Shteti pension vetëm me letra” dhe shumë poezi të tjera, një veti e pjekurisë së poezisë.

2.-Futja e poezive me gjuhën gegërishte e ka pasuruar më shumë vëllimin. Këtu vlen të sjell mendimin e Sherafedin Kadriut që e trajton kaq bukur e poetikisht këtë aspekt : “ Gjuha poetike është standarde, ndonjëherë e stolisur me gegërishten që është thurje e qëllimshme, të cilës i beson poeti sepse qilimi i tij do të dalë i dekoruar, veç si endja në avlëmend e me dekor nyjesh tradite. Endja me penj- nyje të gegërishtes në avlëmendin e tij, i ka dhënë shije qilimit me dekor ndryshe, ku mund të ulet kushdo, po secili në vendin e vet.”

3.-Poezia e Sabit Rrustemit është e ndërtuar me një paskajore e këndshme çka i shton tisin e bukurisë poezive.

4.- Brenda stilit të poezive dallohet një narracion i lehtë, i veçantë, që më duket si një tendencë, si një dëshirë për t’u realizuar. Është ky narracion që i jep poezive një meditim gjithsesi modest jo vetëm në poezitë me karakter epik.

5.-Rikthimi te subjektet e legjendave shqiptare, te simboli i lashtë i gurit, te heroikja si dëshmi e luftrave dhe tek paralelet mes nënës dhe tokës mëmë.

Përpos këtyre aspekteve që karakterizojnë vëllimin e bukur me poezi “ Pa një vdekje mbes” desha të theksoj dhe një vëzhgim timin që ka të bëjë me vetë karakterin e poetit Sabit Rrustemi.

Është një shqetësim i vazhdueshëm që ky poet e ndjen në vetëvete, një lloj vetmie që e ngërthen herë pas here, por ai nuk është i vetëm. Në një takim para dy vjetësh në banjat e Kllokotit së bashku me mikun tim, poetin Nexhat Rexha, folëm për poezinë e poetëve gjilanas, për një lloj studimi përgjithësues e aspak investigativ. Në parim ishim dakort. E ata më numëruan emrat e shumë poetëve nga Gjilani që unë desha t’i emërtoja si “Rrethi letrar i Gjilanit”.

Është një fakt ky shumë real. Por poeti Sabit Rrustemi nuk duhet të mërzitet se “zogjtë kanë dalë nga kafazi” dhe nuk është i vetëm, prandaj i jap të drejtë kur shkruan këto vargje:

Përtej kësaj vetmie

vetëm hapat e atyre që mungojnë

edhe në ëndërr i dëgjoj

Libri me poezi “Pa një vdekje mbes” le gjurmë të pashlyeshme në poezinë mbarë shqiptare.

Durrës, fund tetori 2017

You Might Also Like