Gjilan, 16 gusht 2018 – Komuna e Gjilanit është përfituesja e vetme në Republikën e Kosovës, nga fondet e Komisionit Europian për përfshirjen e të rinjëve në fushën e Bujqësisë dhe zhvillimin e këtij sektori të madh, ka njoftuar kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
“Është njëri nga projektet që ne si Komunë kemi konkurruar dhe jemi shpallur fitues. Ka të bëjë me përfshirjen e të rinjëve në programin e bujqësisë dhe zhvillimin e saj. Vlera e projektit është afro 500 mijë euro, prej të cilave 20 për qind participon Komuna e Gjilanit. Pritet që përpos rolit të madh të përfshirjes, përgatitjes dhe edukimit të të rinjve për tregun e punës në Komunën e Gjilanit dhe në Anamoravë, përfitues do të jenë 52 nëngrante të vogla prej 2500 euro si “start up” në biznese të reja”.
“Gjithashtu, edhe dhjetë ndërmarrje bujqësore do të përfitojnë nga 10 mijë euro, ndërsa vlera e veçantë do të jetë edhe për 100 studentë ose persona të posadiplomuar në bujqësi, që do të kryejnë praktikë me pagesë në mënyrë që të jetë një përgatitje më e madhe për tregun në përgjithësi”, ka pohuar kryetari Haziri.
Haziri ka falënderuar Komisionin Europian për këtë mbështetje të vazhdueshme në disa fusha, duke qenë ky i fundit projekti i katërt që Gjilani e fiton nga ky institucion i rëndësishëm i BE-së.
Kreu i Gjilanit ka thënë se edhe sektori privat i Gjilanit është përfitues nga programe të KE-së në biznese, sic është KAB-I, përpunues i produkteve të qumështit, pastaj turizmin malor, “Lura” e “Maja e Zezë”, ndërsa ATRC në përfshirje të drejtëpërdrejtë në monitorim të programeve komunale.
Kryetari Haziri ka falënderuar edhe partnerët që me projekte konkurruese kanë dalë fitues dhe siç ka thënë ai, shpresohet shumë që programi i fundit me përfshirjen e të rinjve në programet bujqësore, do ta ndihmojë shumë shkollën e bujqësisë, ndërtimin e Institutit të Bujqësisë në të ardhmen, Drejtorinë e Bujqësisë dhe të gjitha familjet që dëshirojnë t’i edukojnë, përgatisin dhe të investojnë në të rinjtë e tyre për programet e ardhshme të bujqësisë në Komunën e Gjilanit.