OPINION

KRIMET E USHTRISË SERBE NDAJ SHQIPTARËVE TË PRESHEVËS DHE TË KUMANOVËS MË 1913

Shkruan: Mr. sc. Fitim RIFATI, Instituti i Historisë – Prishtinë

Presheva dhe Kumanova i takojnë trungut historik të trevave të banuara me shqiptarë. Në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, ato hynin në kuadër të Vilajetit të Kosovës me kryeqendër Shkupin. Si qendra qytetare, ato kishin edhe statusin e njësive administrative (kazave). Presheva ishte kaza në kuadër të sanxhakut të Prishtinës, kurse Kumanova ishte kaza në kuadër të sanxhakut të Shkupit. Në bazë të statistikave të regjistrimeve osmane të viteve 1905-1907, në kazanë e Preshevës, e cila përfshinte 122 fshatra, kishte një popullsi prej 52.868 frymësh prej të cilëve 22.002 ishin shqiptarë, kurse në kazanë e Kumanovës, e cila përfshinte 112 fshatra, kishte një popullsi prej 53.171 frymësh nga e cila 19.845 ishin shqiptarë. Në Preshevë popullsia e përgjithshme e qytetit ishte plotësisht shqiptare, ndërsa në qytetin e Kumanovës 47% nga popullsia e përgjithshme e qytetit ishte shqiptare, që nënkupton se, krahas grupeve më të vogla etnike në këtë qytet, elementin kryesorë të popullsisë shumicë e përbënin shqiptarët. Pra, në prag të Luftërave Ballkanike, këto dy qendra kishin një fizionomi kombëtare pothuajse tërësisht homogjene shqiptare.

Vitet 1912 dhe 1913 shënojnë një periudhë mjaft të ndjeshme dhe të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Të përjashtuar nga Aleanca Ballkanike, shqiptarët u gjendën përballë një situate kritike për ekzistencën e tyre kombëtare. Në tetor të vitit 1912, mbretëritë e Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi, aktivizuan Aleancën Ballkanike duke i shpallë luftë Perandorisë Osmane. Me gjithë neutralitetin, shqiptarët u detyruan të kapnin armët dhe të mbronin tokat e tyre nga agresioni i ushtrive ballkanike. Mirëpo, në frontet e luftës ishin forcat ushtarake të Aleancës Ballkanike që sfiduan rezistencën e forcave shqiptare dhe atyre osmane. Edhe pse thirreshin në parullën e “çlirimit” nga pushteti osman të popullsisë në trevat evropiane të Perandorisë Osmane, ushtritë ballkanike përdorën metodat më çnjerëzore kundër popullsisë së pambrojtur, veçanërisht asaj shqiptare. Ato shkatërruan qytete dhe fshatra, dogjën shtëpitë dhe detyruan shqiptarët të shpërnguleshin nga vatrat e tyre. U vranë rreth 25.000 shqiptarë nga Kosova dhe u shpërngulën mijëra të tjerë. Figurat drejtuese të Lëvizjes Kombëtare u burgosën dhe u internuan.

Në anën tjetër, ndonëse e qartësoi fatin e Shqipërisë, Shpallja e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, në një situatë mjaft të rrezikshme, nuk prodhoi efekte juridiko-politike të njohjes së menjëhershme të saj nga shtetet agresore ballkanike dhe dy blloqet e kohës të Fuqive të Mëdha, por e shndërroi çështjen e Shqipërisë dhe çështje të tjera në një problem diplomatik ndërkombëtar, i cili duhej të zgjidhej ndërmjet Fuqive të Mëdha. Kështu, Konferenca e Ambasadorëve në Londër (17 dhjetor 1912 – 12 gusht 1913), në të cilën morën pjesë përfaqësues nga gjashtë Fuqitë e Mëdha: Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Austro-Hungarisë, Rusisë dhe Italisë, statusin politik të Shqipërisë nuk e zgjodhi përkitazi me vendimet e Kuvendit të Vlorës të 28 Nëntorit të vitit 1912. Njëherazi nuk u mor parasysh parimi etnik për zgjidhjen e çështjes së kufijve të shtetit shqiptar. Pavarësisht rolit konstruktiv karshi çështjes shqiptare, që luajtën dy fuqitë e kohës, Austro-Hungaria dhe Italia, viset shqiptare u ricopëtuan në favor të mbretërive të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Kjo Konferencë i shkëputi Shqipërisë 32.900 kilometra katrorë të njësisë territoriale dhe administrative të Vilajetit të Kosovës.

Kumanovë, 1912: Masakrimi i shqiptarëve nga ushtria serbe

 

Dëmtimi që iu bë shqiptarëve nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër doli të ketë pasoja tragjike dhe afatgjata për shqiptarët. Kosova dhe vise të tjera shqiptare, që iu aneksuan shteteve ballkanike, u përballën me një dhunë dhe presion sistematik shtetëror e ushtarako-policor serb, i cili reflektoi edhe në hartën demografike të popullsisë shqiptare, duke ndryshuar strukturën shoqërore dhe atë kulturo-arsimore. Më keq pësuan shqiptarët edhe nga shpronësimi dhe kolonizimi, vrasjet masive, djegiet e fshatrave, shpërnguljet me forcë, çarmatosja etj. Kështu, politika shtetërore serbe nisi të realizonte doktrinën e saj shoviniste, të bazuar në “Projektin” (“Naçertaninë”) e Ilia Garashaninit të vitit 1844.

Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Serbisë, Nikolla Pashiq, i konsideronte shqiptarët e Kosovës me “origjinë serbe”. Sipas tij, edhe në vitin 1913 shqiptarët akoma flisnin serbisht dhe, duke i vlerësuar me veçori të veçanta kombëtare, shprehej se “nuk kanë asnjë lidhje me shqiptarët bregdetarë”, ndërsa Kosovën e trajtonte si “djep i Serbisë së Vjetër”. Sipas Nikolla Pashiq, edhe ajo pakicë shqiptare që jetonte në Kosovë, kishte ardhur vonë në këtë territor dhe nuk përbënte një element me rëndësi kulturore, historike e as kombëtare. Për Mbretërinë e Serbisë shqiptarët konsideroheshin të egër, mashtrues të turpshëm, dinakë, të pabesë, konservator, regresistë, kusarë etj. Administrata ushtarake dhe civile, madje edhe pakica serbe në Kosovë, i kishte duart të lira të vepronte sipas dëshirës ndaj shqiptarëve, duke i torturuar dhe rrahur deri në vdekje. Sikurse gjatë pushtimit të Kosovës në tetor-nëntor 1912, por edhe pas instalimit të organeve ushtarake, policore dhe civile, qeveria serbe zbatoi një politikë hegjemoniste të intensifikuar.

Ndonëse para faktorit ndërkombëtar qarqet shtetërore serbe kishin premtuar barazinë, sigurinë dhe drejtësinë e plotë për të gjithë banorët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë kombëtare e fetare, në përditshmëri zbatonin një politikë shtypëse ndaj shqiptarëve, duke i privuar nga çdo e drejtë njerëzore. Popullsia shqiptare në Preshevë, Kumanovë dhe vise të tjera, burgosej pa asnjë procedurë paraprake gjyqësore. Regjimi ushtarak serb e trajtonte popullsinë vendëse shqiptare si element shfrytëzimi për nevoja ekonomike e ushtarake dhe njëkohësisht sillej ndaj saj në mënyrë të pabarabartë përballë grupeve të vogla etnike. Në platformën serbe për Kosovën (Preshevën dhe Kumanovën) dhe shqiptarët, zbatohej parimi bosht shovinist: Serbizim me çdo çmim.

Sipas një raporti diplomatik të konsullit të përgjithshëm austro-hungarez në Shkup, Jeliçka, të datës 23 janar të vitit 1914, i cili në thelb përmban kërkesat dhe lutjet e përfaqësuesve të fshatrave të Preshevës dhe të Kumanovës, si: Nikushtak, Matejç, Ropalca, Vishtica, Hotla, Lipkova, Sllupçan, Orizare, Opaja, Llojani, Bellanovci, Llopate, Strima etj.,  konstatohet se hyrja e ushtrisë serbe në viset shqiptare u përcoll me masakra e vrasje ndaj popullatës së pambrojtur dhe paqësore. Këto akte vërtetohen edhe në kërkesat e lutjet që popullata shqiptare e këtyre trevave shqiptare i dërgonte përfaqësuesve diplomatikë të Fuqive të Mëdha në Shkup. Frika nga barbaritë e ushtrisë serbe i kishte detyruar shqiptarët e këtyre trevave të niseshin drejt Shkupit dhe nga atje për në vise të thella të Perandorisë Osmane. Mirëpo, pas një qëndrimi një javorë në Shkup, një pjesë e tyre ishte kthyer në shtëpitë dhe vendbanimet e veta, ngase ishte përhapur lajmi demagogjik se jeta e gjithë popullatës në viset e pushtuara të Preshevës dhe Kumanovës ishte e “garantuar” dhe se ajo do të “mbrohej” nga ushtria serbe. Ky premtim kishte qenë vetëm një deklaratë mashtruese nga ana e qarqeve serbe.

Mijëra të shpërngulur shqiptarë nga viset verilindore shqiptare të rretheve të Preshevës dhe Kumanovës, nën atmosferën e vrasjeve, masakrave, mungesës së ushqimit, veshmbathjes e strehimit, së bashku me familjet kishin vendosur të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre. Ndërkaq grumbulloheshin paraprakisht në stacionin e Kumanovës, sipas këtij raporti austro-hungarez, të rinjtë shqiptarë, që ishin diku rreth 700-800 vetë, ishin kapur nga organet ushtarake dhe të lidhur i kishin vrarë e bërë copë sikur ndonjë kafshë të egër. Këto akte tregonin zemërimin e ushtrisë serbe dhe synimet e qarqeve qeveritare në Beograd, se vetëm duke vrarë dhe masakruar sa më shumë popullatën vendëse shqiptare aq më tepër do të forcohej bindja për shqiptarët se pushtimi serb ishte i papërballueshëm për ta. Jo vetëm kaq, ata që u kthyen në shtëpitë e tyre, të cilat ishin të plaçkitura dhe përgjithësisht të shkretuara, gjatë natës ishin nxjerrë jashtë nga organet ushtarake serbe. Kushdo që ishte në gjendje të paguante 20-30 lira turke-osmane, shpëtonte nga ekzekutimi, ndërsa ata që nuk ishin në gjendje të paguanin këtë shumë vriteshin në çast. Në rrëfimet tmerruese të shqiptarëve të Preshevës dhe Kumanovës provohej se ata vazhdonin të keqtrajtoheshin dhe burgoseshin në masë të madhe, sidomos pasi nuk i ishin përgjigjur pozitivisht urdhrave të organeve qeveritare dhe ushtarake serbe për t’u bashkuar në luftë kundër Mbretërisë së Bullgarisë gjatë Luftës së Dytë Ballkanike.

Megjithëkëtë, popullsia shqiptare që mbeti në vend, qe e detyruar t’i përgjigjej kërkesave dhe thirrjeve që u bënin autoritetet pushtuese administrative. Ajo paguante tatimin e pronës në një shumë më tepër se 15 fish më të lartë nga periudha e sundimit osman si dhe taksa të tjera. Merrte pjesë në rregullimin dhe hapjen e rrugëve të reja dhe ishte e detyruar që përmes kafshëve të furnizonte me dru nga viset malore organet administrative. Rrjedhimisht, gjendja e saj vështirësohej edhe më tej e bëhej e mjerueshme. Për më keq, edhe shumën e plaçkave të shitura gjatë shpërnguljes së përkohshme në Shkup, ishte detyruar ta shfrytëzonte për të paguar taksat e papërballueshme. Duke qenë të angazhuar në punë angari dhe kryesisht në ndërtimin e rrugëve, fuqia punëtore e popullatës vendëse shqiptare të kësaj treve nuk kishte kohë të merrej me punë për të ushqyer dhe mbajtur familjen e saj. Ata që bënin kërkesa për zvogëlimin e punës angari ose kompensimin e saj me ushqimin e familjeve të tyre, keqtrajtoheshin dhe burgoseshin nga organet serbe. Torturat dhe dënimet e tilla të papërballueshme, shtrënguan shumë shqiptarë që me familjet e tyre të drejtoheshin në rrugën e emigrimit.

Gjendja e shqiptarëve të Preshevës dhe Kumanovës u rëndua edhe më tej kur nisi të cenohej nderi dhe besimi i tyre. Kështu, në fshatin Matejç të Kumanovës, ushtarët serbë hynë në dhomat e shtëpisë së familjes së Xhelaedinit, e vranë atë, djalin e tij, Salihun, dhe plagosën Osmanin, një anëtar tjetër të kësaj familje. Krimet që ushtria serbe bëri ndaj tyre nuk u gjykuan dhe as nuk u ndëshkuan nga organet përkatëse. Prandaj, popullata vendëse shqiptare, duke e ndjerë veten të pasigurt, në rast se nuk ndërmerreshin masa që mbronin nderin, besimin dhe jetën e saj, kërkonte leje dhe ishte e gatshme të emigronte për në vise të Perandorisë Osmane (Turqi).

Në rrethana të tilla të pasigurta, që kishin nxitur procesin e emigrimit të shqiptarëve dhe kolonizimin serb të Kosovës dhe viseve të tjera, Mbretëria e Serisë ndoqi një politikë të brendshme duke forcuar pozitat e veta në territoret e pushtuara-aneksuara dhe njësoj duke krijuar një situatë të re përmes instalimit dhe funksionimit të një administrate brutale ushtarake, policore e civile. Në anën tjetër, krahas politikës dhe opinionit ndërkombëtar, ajo, ndonëse propagandonte misionin fillestar se rajonet e pushtuara i jepnin të drejtën historike, në radhë të parë dhe “paqësimin” e “civilizimin” e tyre, në realitet argumentonte se qëllimi përfundimtar serb ishte shpopullimi i Preshevës dhe Kumanovës nga shqiptarët dhe serbizimi i plotë i tyre dhe i tërë Kosovës.

You Might Also Like