Futboll

Zekirja Ramadani nuk është më trajner i Gjilanit

FIFA ia shkëput kontratën Zekirja Ramadanit me Gjilanin

Trajneri i Gjilanit, Zekirja Ramadani, ka njoftuar të shtunën se organi më i lartë i futbollit, FIFA, ia ka shkëputur kontratën me klubin bardhekuq.

Gjilani muajve të fundit ka qenë në krizë të thellë pas largimit të presidentit të klubit. Ka obligime të mëdha ndaj futbollistëve e stafit të trajnerëve. Kjo ka detyruar edhe intervenimin e FIFA-s.

Ramadani ka thënë se FIFA ia kishte shkëputur kontratën para dhjetë ditëve, mirëpo ai ka pritur për ndonjë ndryshim. Dhe meqë ndryshimi s’ka ardhur, trajneri nga Maqedonia e Veriut ka menduar për të ardhmen e tij si trajner.

“Mirupafshim SC Gjilani. Pas një periudhe tepër të vështirë erdhi edhe fundit. Falënderoj të gjithë ata që ishin afër klubit në këtë periudhë mjaft të vështir. Posaçërisht falënderoj futbollistët, sepse ata, pavarësisht miliona problemeve, dhanë maksimumin dhe janë më meritorët që klubi i Gjilanit sot është në këtë pozitë”, ka shkruar Ramadani në profilin e tij në Facebook.

Ramadani e lë Gjilanin në një pozitë mjaft të volitshme. Pas 18 ndeshjeve, renditet i katërti me 27 pikë, aq sa ka edhe Prishtinë në pozitën e tretë që të dërgon në garat evropiane.

Ramadani mori drejtimin e Gjilanit në verë. Ka karrierë të bujshme në Kosovë. Shpalli kampion Trepçën ’89, Feronikelin e Prishtinën.

You Might Also Like