SPORTI

Pritje për kampionët rajonalë në volejboll e futsall

Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” edhe sivjet do të jetë pjesëmarrës në shumë gara të Sportit Shkollor që pritet të organizohen në nivel vendi, kurse këtë të hënë drejtoria e shkollës në përbërje Bekim Mustafa, drejtor dhe Agim Asllani, zëvendësdrejtor kanë pritur volejbollistët në të dy konkurrencat meshkuj e vajza si dhe ekipin e futsallit ndër femra, të cilët janë shpallur kampion rajonalë dhe të cilëve në mënyrë solemne u janë shpërndarë mirënjohjet. Duhet cekur se kjo shkollë do të marrë pjesë në garat republikane edhe në kategori të tjera, gara këto që kishin mbaruar më herët dhe që tashmë shkolla kishte organizuar pritje edhe për ta.

Padyshim se i tërë ky sukses është arritur falë punës së palodhshme të aktivit të Kulturës Fizike dhe Sportit, kurse kontribut të pamohueshëm ka dhënë profesori Blerim Shala, i cili me nxënësit ka punuar brenda javës dy deri në tri herë vetëm e vetëm që të arrihen sukseset e këtyre nxënësve jo vetëm në futsall e volejboll, por edhe në sporte të tjera në të cilat kjo shkollë do të merr pjesë.

“Nuk kemi kursyer mund e djersë, nuk jemi ndalur e dorëzuar asnjëherë”, thotë profesori Blerim Shala, i cili është më meritori për këto suksese dhe i cili edhe me pingpongun do të marrë pjesë në garat republikane, kështu që e dërgon në tri ekipe shkollën tonë.

Edhe nxënësit tanë kanë shprehur fjalë miradije për punën e palodhshme që është bërë me ta nga profesori Blerim Shala, i cili pa përtesë, me sakrificë e mund ka punuar pa u ndalur që të arrihen sukseset.

“Besoj se sikur herëve të kaluara do të kthehemi me ndonjë vend të parë, nga volejbolli, futsalli apo edhe pingpongu”, thotë profesori e punëtori i palodhur Blerim Shala.

Bekim Mustafa, drejtor i Shkollës në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, pasi ka uruar nxënësit për suksesin e arritur në garat rajonale, ka shprehur besimin që një sukses i tillë do të arrihet edhe në gara republikane, por gjithnjë duke treguar kulturë sportive në gara dhe jo fitore me çdo kusht, por duke u sjellë siç u ka hije nxënësve tanë dhe frymës sportive. Ai ka thënë se nxënësit do t’a kenë përkrahjen e shkollës, derisa edhe zëvendësdrejtori dr. Agim Asllani, u ka uruar nxënësve për sukseset e arritura, duke thënë se suksesi i tyre njëkohësisht edhe sukses i tërë shkollës e që është sukses për t’u lakmuar. Ai ka thënë se ky grup nxënësish janë të disiplinuar, të sjellshëm, të edukuar e punëtorë dhe se përveç në mësime ata dallohen edhe në sport.

“Gjimnazi po merr shkëlqim edhe me këto medalje e kupa, andaj ne jemi krenarë me këta nxënës dhe kemi bërë emër në krejt Kosovën”, ka thënë zëvendësdrejtori Asllani.

Reshat Syla, pedagog i Kulturës Fizike dhe Sportit, ka thënë se Gjilani mburret me këta nxënës dhe këta nxënës e hijeshojnë shkollën. “Ju jeni vetë vlera, andaj edhe në të ardhmen të prezantoheni si sportistë”, ka thënë Syla, që ka shtuar se këta nxënës meritojnë një ekskursion për punën që kanë bërë, andaj kërkohet që të gjendet mundësia për një organizim të tillë.

You Might Also Like