Gjilan, 11 janar 2024 / Kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni me bashkëpunëtorë ka vizituar Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Gjilan, ku gjatë takimit me përfaqësues të kësaj Force, i ka përgëzuar për angazhimin e tyre në përmbushje të misionit si ushtri e Kosovës.
Në këtë aktivitetet të radhës të paraparë në agjendën e manifestimit të “Flakës së Janarit 2024”, kryetari Hyseni ka thënë se kjo vizitë në kazermën e FSK-së, në Gjilan, përtej simbolikës dhe nga përbërja e ekipit që ishin prezentë, ish ushtarëve të UÇK-së, pjesëtarëve të TMK-së, FSK-së, anëtarëve të familjeve të heronjve e dëshmorëve, të burgosurve politikë, veprimtarë dhe të tjerë, që kanë kontribuar për ditën që po e gëzojmë sot, ndërkohë që edhe gjeneratat e reja që po bartin përgjegjësi institucionale, e bëjnë edhe më me vlerë vizitën, për shkak se kështu jetësohet dhe vazhdohet amaneti i të parëve dhe i atyre që kanë dhënë jetën për liri.
“Prandaj, kemi vlerësuar që kjo vizitë në FSK, përtej simbolikës ta ketë edhe këtë peshë, pra ruajtjen dhe bartjen e mesazhit edhe të sakrificës institucionale që bëhet sot, që në krahasim me atë që është bërë dikur është shumë më e vogël, por megjithatë e bartë mesazhin e rëndësisë së punës dhe të kontributit për të mirën e atdheut”, ka thënë Alban Hyseni, kryetar i Komunës së Gjilanit.
Përndryshe, sot është një ditë e ngjeshur me aktivitete të parapara në këtë nismë të manifestimit “Flaka e Janarit 2024”, që do të vazhdojnë tutje sipas agjendës.