Muzikë

Mbahet Festivali i Këngës për Fëmijë “Yjet e Flakës 2025”, Çmimet shpallen në Gala Mbrëmje

Manifestimi Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2025”, ka vazhduar tutje rrugëtimin e saj me Festivalin e Këngës për Fëmijë “Yjet e Flakës”. edicionin e 15-të, ku artistët e vegjël shfaqën talentin dhe përkushtimin e tyre për këngën.
Festivalin e shpalli të hapur, Kushtrim Zeqiri, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, i cili në emër të kryetarit të komunës, Alban Hyseni ka përshëndetur të pranishmit, veçmas fëmijët pjesëmarrës në këtë festival, që, siç u shpreh ai, janë zëri dhe shpresa jonë për të ardhmen.
“Ky manifestim tani më i konsoliduar në identitetin kulturor të kombit tonë, përveç që përfaqëson shtyllat artistike të saj, njëkohësisht është një manifestim që ruan vlerat kombëtare e artistike. Pra, “Flaka e Janarit”, është një homazh për të gjithë ata që ranë për lirinë tonë, një përkujtim i sakrificave sublime të atyre që na lanë amanet të ardhmen e lirë dhe të ndritur”, ka thënë drejtori Zeqiri, për të shtuar se: në këtë frymë “Yjet e Flakës”, ka një mision të veçantë, të promovojë talentin e fëmijëve tanë, të krijojë një hapësirë ku ata mund të shprehin ëndrrat e tyre, të rritën me dashuri për artin dhe të kultivojnë pasionin për muzikën.
Para publikut të pranishëm u paraqiten 17 këngë premiere, konkurruese në “Yjet e Flakës 2025”, por edhe hite me mysafirë të festivalit, të cilat i përkasin karakterit unik që ka manifestimi “Flaka e Janarit”, pra skena u pushtua nga artistë të vegjël, grupe vallëzimi dhe këndimi nga vise të ndryshme të vendit tonë.
Këngët konkurruese iu kushtuan kryesisht atdhedashurisë, heronjve, Kosovës, pavarësisë, vendlindjes, shkollës… këngë këto, në frymën e karakterit të festivalit.
Përndryshe, publiku i pranishëm në sallë pati rastin të dëgjojë performancën e shtatëmbëdhjetë këngëtarëve konkurrues si të:
Valëza Mecinaj, kënga “O trimat e dheut”, kompozitore Shqipe Bucaliu.
Fatime Haliti, kënga “Lumturi për fëmijët”, kompozitore Arta Haziri Nuhiu.
Leonita Ahmetaj , kënga “Vlora e Pavarësisë”, kompozitor Hekuran Prenaj
Aron Musliu, kënga “Trimit”, kompozitor Hekuran Bllaca.
Luiza Koci, kënga “Kosovë e artë “, kompozitor Memli Kelmendi.
Era Sopjani, kënga “Festat”, kompozitore Arta Haziri Nuhiu.
Rita Rexhepi, kënga “17 Shkurti”, kompozimi Creative Studio.
Enuare Shabani, kënga “Kosova ime”, kompozitor Mentor Latifi.
Sara Limoni, kënga “Qytetit tim”, kompozitor Hekuran Bllaca.
Alea Dvorani, kënga “Baresha ime”, kompozitore Dafina Smajli.
Anesa & Melisa Shabani, kënga “Babai im”, kompozitore Arife Kastrati.
Amla Murati, kënga “Shqiponja” kompozitore Shota Ramadani Poroshtica.
Luna Salihu, kënga “Ti o vendi im”, kompozitor Shaban Ratkoceri.
Aya Sylejmani, kënga “Kosova”, kompozitor Xhevat Rushiti.
Esma Ukshini, kënga “O ju trima”, kompozitore Shqipe Bucaliu.
Ardian Avdimetaj, kënga “Pajtimi”, kompozitor Memli Kelmendi.
Lea Llapashtica, kënga “Shkolla është dritare”, kompozimi RGB-Studio.
Për të gjithë pjesëmarrësit u ndanë mirënjohje, ndërsa Juria në përbërje: Sami Piraj, kompozitor, profesor i muzikës e kritik muzikor, Naser Dula, drejtor në shkollën e muzikës në Rahovec, drejtor i festivalit “Vihuela” dhe profesor i kitarës, si dhe Shqipe Spahiu, redaktore e programit për fëmijë në RTK, do të japin verdiktin për çmimet e këtij festivali: Çmimin e parë, dytë dhe tretë si dhe Çmimin e publikut, të cilat do të bëhen të ditura në aktivitetin përmbyllës të Flakës së Janarit, në Gala Mbrëmje me 31 janar.
E veçanta e manifestimit të këtij viti ishte edhe nderimi që iu bë kompozitorit Isa Jakupi, i cili dy muaj më parë iku në amshim. Ai ishte kompozitor i më shumë se 100 këngëve për fëmijë njëherësh edhe themeluesi i këtij festivali. Në nderim të veprës së tij madhështore, kori i Shkollës së Muzikës në Gjilan, u paraqit me dy këngë premierë të kompozuara nga prof. Isa Jakupi, “Balerina e nënës” dhe “Kosovë- krenari!”
Përndryshe “Yjet e Flakës”, u begatuan edhe me mysafirët e Festivalit, më vogëlushët e trupës së vallëzimit “Dancing Hause”, me koreografen Nazmije Ahmeti, me Korin e Fëmijëve të Shkollës së Muzikës në Gjilan si dhe me mysafirët special, Aron Nuhiu e Sumeja Jakupi.
Organizimi i Festivalit të sivjetmë ishte i shkëlqyeshëm për të cilën është përkujdesur, Kushtrim Jakupi, drejtor i festivalit, bashkë me stafin e OJQ-së “Lyra”.
“Flaka e Janarit 2025”, vazhdon tutje, po sonte me aktivitetin vijues “Këngët e Jusufit”.

You Might Also Like