Sa herë që ka një ndeshje futbolli, apo edhe ndonjë varrim në Varrezat e Qytetit në Gjilan, banorët e kësaj pjese që jetojnë mbi Stadiumin me bari sintetik, por edhe ata sipër Varrezave të Qytetit e deri te rruga e Kumanovës po kanë telashe për të kaluar rrugën.
Ndodh që shpesh veturat të parkohen në të dy anët e rrugës dhe lënë vetëm një shteg të ngushtë sa për një veturë dhe shpesh kur një veturë vije nga lartë poshtë e vetura tjetër nga ana e kundërt, aty nuk ka vend për të kaluar.
Këtë shqetësim e ka ngritur edhe qytetari Gyner Muja, i cili thekson se banorët e kësaj ane i njëjti problem po i përcjell çdo ditë, ngase tashti Stadiumi me bari sintetik është i stërngarkuar me ndeshje e stërvitje dhe që gjendet larg qytetit, andaj i detyron prindërit e lojtarëve të rinj që stërviten, shikuesit dhe personat tjerë të vijnë me vetura, ndërkohë që gjendje vështirësohet edhe më tepër kur ka ndonjë varrim në Varrezat e Qytetit.
Muja thekson se duhet të gjendet një zgjidhje për këtë çështje, ngase një gjë e tillë po i pengon qytetarët që të kryejnë aktivitetet e përditshme.
“Ne e kuptojmë që infrastruktura rrugore është e atillë çfarë është, i kuptojmë edhe ngasësit që kanë nevojë t’i lënë diku veturat, por të parkohen ato në të dy anët e rrugës është e pakuptueshme, ngase shpesh banorët e kësaj ane po e kanë të pamundur të kalojnë dhe duhet të presin një kohë e gjatë për vajtje-ardhjet në shtëpitë e tyre”, thekson Gyner Muja. /kryelajmi.com/.