Lidhja Rajonale e Futbollit të Gjilanit ka përmbyllur me sukses kampionatin futbollistik 2024/2025, duke dëshmuar edhe njëherë se në këtë lidhje po punohet me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë.
Nën drejtimin e kryetarit Armend Misini, LRFGJ po shndërrohet në një model të organizimit të mirëfilltë sportiv, duke u dalluar për standarde që mungojnë në shumë rajone tjera të futbollit në vend.
Gjatë këtij sezoni, të gjitha klubet pjesëmarrëse kanë treguar cilësi të lartë, disiplinë dhe lojë të ndershme (fair play), duke dëshmuar se nga kjo lidhje pritet të dalin shumë talente të së ardhmes së futbollit kosovar.
Kryetari i LRFGJ, Armend Misini, i kënaqur me mbarëvajtjen e kampionatit, deklaroi:
“Fillimisht i përgëzoj të gjitha klubet që kanë qenë në nivelin e duhur dhe i uroj për arritjet në klubet e tyre. Këto klube kanë qenë shembull i mirë për futbollin tonë se si duhet të punohet. Jam shumë i lumtur që trajnerët dhe stafi i tyre kanë bashkëpunuar ngushtë, dhe ky bashkëpunim ka sjellë rezultatet e duhura. Në sezonin e ardhshëm, 2025/2026, kërkoj që secili klub të punojë edhe më shumë për të ngritur cilësinë e futbollit në Kosovë.”
Në kategorinë U13 kampion është shpallur FC Drita, ndërsa nënkampione SHF Kosova nga Vitia, e cila gjithashtu ka dhënë golashënuesin më të mirë të kësaj kategorie, Erdi Hoxha.
Në kategorinë U15 kampion është shpallur përsëri FC Drita, kurse nënkampione sërish SHF Kosova Viti, me golashënuesin më të mirë Rexhep Leka.
Në kategorinë U17, kampion është shpallur SC Gjilani, nënkampione SHF Arbëria, ndërsa golashënuesi më i mirë është Dior Hajrullahu nga SHF Kosova Viti. Në
këtë sezon, në kategoritë U13 dhe U15 kanë marrë pjesë nga 13 shkolla futbolli, ndërsa në kategorinë U17 janë përfshirë 5 shkolla. Po ashtu, në grupmoshën U11 kanë garuar 14 shkolla, por pa karakter garues. Këto të dhëna nuk përfshijnë garat në kuadër të Kinderligës.
Kryetari Misini ka vlerësuar gjithashtu punën e gjyqtarëve, delegatëve dhe zyrtarëve të përfshirë në ndeshje, por theksoi se në të ardhmen pritet angazhim edhe më i madh:
“Ne nuk do të kënaqemi kurrë me rezultatet e arritura. Do të kërkojmë angazhim më të madh, më shumë cilësi dhe respektim të parimeve të lojës së ndershme. Për çdo shkelje apo mosrespektim të rregullave, do të jemi të pa kompromis.”
Gjatë kampionatit, LRFGJ ka realizuar disa projekte madhore në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe kryetarin e saj Agim Ademi.
“Në bashkëpunim të plotë me FFK-në, do të vazhdojmë të punojmë pa u ndalur për të mirën e futbollit dhe për lehtësimin e punës për futbollistët tanë. Besoj fuqishëm se në kampionatin e ardhshëm do të jemi edhe më të fuqishëm,” theksoi Misini.
Në fund, kryetari i LRFGJ falënderoi edhe sponsorin kryesor, kompaninë ‘RC Cola’, e cila ka qenë pjesë e të gjitha këtyre sukseseve.