Gjilan

Kryetari Alban Hyseni vendos gurthemelin e shtëpisë për nevojat e lagjes “Gllama” të Bresalcit

Me pjesëmarrjen e shumë qytetarëve, të rinj e të moshuar, sot në “Fushën e Pajtimit” në lagjen “Gllama” të Bresalcit u mbajt ceremonia solemne e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e shtëpisë që do t’i shërbejë banorëve të kësaj lagje.

Në këtë ngjarje të veçantë mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, i cili në fjalën e tij para të pranishmëve u shpreh:

“Jam i nderuar që ndodhem mes jush, mes iniciatorëve të këtij projekti me vlerë për banorët e kësaj lagje. Kjo shtëpi do të zgjidhë shumë nga problemet me të cilat përballen qytetarët, dhe ne si komunë do të vazhdojmë të mbështesim iniciativa të tilla që përmirësojnë kushtet e jetesës për të gjithë. Komuna e Gjilanit do të mbulojë 50% të shpenzimeve për këtë projekt, ndërsa pjesa tjetër do të financohet nga vetë qytetarët e lagjes. Uroj që kjo shtëpi të shërbejë për shumë breza me gëzim.”

Iniciatori i këtij projekti, humanisti i njohur Haxhi Ramadan Muji, i cili ka pasur përkrahje të vazhdueshme nga komuna, u përfaqësua në këtë ceremoni nga djali i tij, Berat Muji. Në fjalën e tij, ai theksoi:

“Kjo është një ditë feste për të gjithë banorët, sidomos për brezat që vijnë pas nesh, të cilët do të kenë kushte më të mira. Falënderojmë kryetarin Alban Hyseni për mbështetjen që na ka dhënë që nga dita e parë. Po ashtu, një falënderim i veçantë për të gjithë banorët e lagjes ‘Gllama’ për besimin dhe përkushtimin. Vetëm së bashku mund ta realizojmë këtë shtëpi për të mirën e fshatit tonë.”

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe z. Shemsi Syla, zëvendësministër i Mbrojtjes së Kosovës, ndërsa ceremonia u mbyll me një koktej rasti për të gjithë të ftuarit.

You Might Also Like