Gjilan

Shtyhet për një seancë tjetër miratimi i propozim buxhetit për vitin 2026 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2027-2028

Gjilan, 25 shtator 2025 – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, në seancën e të enjtes, e cila llogaritej se ishte e fundit për këtë mandat, ka shtyrë për një mbledhje tjetër miratimin e propozim buxhetit për vitin 2026 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2027-2028, pasi partitë opozitare (LDK, PDK) të cilat e përbëjnë shumicën në Kuvend, janë deklaruar se nuk mund të shkojnë tutje në këtë pikë, pa prezencën e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni.

Paraprakisht, propozim buxhetin për vitin 2026 e ka prezantuar para anëtarëve të Kuvendit Ilmi Limoni, udhëheqës i sektorit të buxhetit në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa, i cili bëri të ditur se shuma totale e buxhetit është afro 42 milionë euro (41.928.924), apo 5.09 për qind më shumë se buxheti i vitit paraprak.

Ndërkaq, shefat e grupeve politike, Avdyl Aliu (LDK) dhe Bujar Nevzati (PDK), thanë se buxheti duhet të prezantohet eksluzivisht nga Kryetari i Komunës, ndërkaq theksuan se janë zvogëluar investimet kapitale krahasuar me vitet paraprake, për të shtuar se është bërë planifikim i padrejtë, pasi sipas tyre, janë paraparë investime në vetëm 13 fshatra.

Këtij konstatimi i është kundërpërgjigjur shefja e grupit të këshilltarëve të VV-së, Krenare Latifi – Kqiku, duke thënë se mbështesin plotësisht këtë propozim buxhet të prezantuar, për të cilin tha se është në interes të qytetarëve të Gjilanit, për realizimin e shumë projekteve në të mirë të komunitetit në të gjitha fshatrat dhe lagjet e Gjilanit.

Ndërkohë, kuvendarët e Gjilanit kanë miratuar përmirësimin e vendimit për pagesën e shujtave për shërbyesit civilë, ku është caktuar burimi i financimit, të cilin e ka arsyetuar Ilmi Limoni, në emër të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Planin ndërkomunal për menaxhimin e integruar të mbeturinave për rajonin e Gjilanit dhe Ferizajit (2025-2030), të cilin e ka prezantuar Kushtrim Ibrahimi, drejtor i Shërbimeve Publike, deklaratën mbështetëse kundër dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike, e sponsoruar nga nënkryetarja Leonora Morina – Bunjaku, vendimin për shpalljen “Qytetar Nderi” për shkrimtarin Ibrahim Kadriu, sikur edhe raportin e Komisionit për emërtimin e rrugëve.

Kuvendarët e Gjilanit, kanë shtyrë për një seancë tjetër edhe raportin gjashtëmujor të punës së kryetarit, raportin financiar janar-qershor 2025 dhe raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin.

Ndryshe, në këtë seancë kanë kontribuar edhe asambleistët, Avdyl Aliu, Bujar Nevzati, Krenare Latifi – Kqilku, Arbër Musliu, Muhadin Haziri, Nazim Gagica, Rijad Elezi, Ismajl Kurteshi, Imran Haziri, Latif Maliqi e Blerim Haziri, të cilëve u janë përgjigjur drejtorët komunalë, Ali Arifi, Kushtrim Ibrahimi dhe Arbenita Sopi-Haziri, dhe udhëheqësi i sektorit të buxhetit në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa, Ilmi Limoni.

—————————————————————————-

Seanca e sotme e Kuvendit është transmetuar drejtpërdrejt në formatin livestream në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit në facebook dhe në mediat lokale: 

https://www.facebook.com/komunaegjilanit/videos/1554764619018795

You Might Also Like