ARSIMI

Qendra e Aftësimit Profesional në Gjilan, mundësi e mirë për aftësim në profesione të ndryshme

Këshilltarët për karrierë nga Shkollat e Mesme të Larta të Gjilanit, Tahir Dalipi – Gjimnazi Shoqëror “Zenel Hajdini”, Sadulla Ramizi – Shkolla e Mesme Ekonomike “Marin Barleti”, Rabit Miftari – Shkolla e Mesme Tenike “Mehmet Isai” dhe Enver Sadiku – Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” kanë mbajtur një takim me Mujedin Zylfijajn, drejtor i Qendrës për Aftësim Profesional në Gjilan, ku janë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në mes të këtij institucioni dhe shkollave të mesme për orientim në karrierë e mundësi trajnimi në këtë qendër.

Siç ka theksuar Mujedin Zylfijaj, drejtor i Qendrës për Aftësim Profesional në Gjilan, në këtë qendër trajnimet janë falas dhe të gjithë ata që nuk mund të studiojnë mund të vazhdojnë trajnimet në QAP për profesione të ndryshme.

Ai ka thënë se shumë nga të rinjtë nuk janë në dijeni për këtë mundësi, andaj ata duhet të informohen në mënyra të ndryshme  nëpërmjet këshilltarëve të karrierës ose nëpërmjet të vizitave të drejtpërdrejta në Qendrën e Aftësimit Profesional.

“Të gjithë ata që janë të interesuar mund të vijnë në qendrën tonë, të shohin punën që bëhet aty dhe kushte që ofrohen”, thekson Mujedin Zylfijaj, drejtor i Qendrës për Aftësim Profesional në Gjilan, i cili ka shtuar se në këtë qendër ofrohen trajnime të ndryshme si dizajn grafik, kontabilitet, saldues, rrobaqepësi, kuzhinier dhe zdrukthëtari. Sipas tij shumë shpejt pritet të hapën edhe profesione të tjera, ngase ka kërkesa për ndërtimtari, elektrik, ujësjellës dhe profile të ndryshme.

“Të gjithë ata që po vijnë e po i kryejnë trajnimet shumë shpejt po integrohen në tregun e punës. Profesionet si metalpunues, ato të gastronomisë, të përpunimit të drurit e profesionet tjera janë shumë të kërkuar dhe tejet profitabil”, ka theksuar Mujedin Zylfijaj, drejtor i Qendrës për Aftësim Profesional në Gjilan, i cili ka shtuar se pas shkollës së mesme të gjithë të interesuarit mund të kryejnë këto kurse dhe të pajisen me certifikatat gjegjëse.

Ndryshe, këshilltarët e karrierës, pjesëmarrës në këtë takim kanë theksuar se mundësia e vizitave të nxënësve në QAP është një veprim shumë i mirë dhe i dobishëm, andaj janë angazhuar që të thellojnë bashkëpunimin me këtë institucion profesional./kryelajmi.com/.

You Might Also Like