Shkruan: Sylejman Ismajli
Një nga kazamatet më famëkeqe të sistemit komunist ishte Burgu i Gjilanit, i cili u hap në nëntorin e vitit 1957, duke sjellë dhimbje, vdekje e zhdukje të popullit shqiptar. Shumë familje mbetën pa më të dashurit e tyre, vetëm pse ishin shqiptarë dhe kërkonin lirinë.
Për regjimin komunist dhe më vonë për Serbinë, ky burg u shndërrua në qendrën e torturave. Mijëra shqiptarë u rrahën, u dënuan e u vranë nga gardianët e UDBA-s serbo-sllave. Ata synonin zhdukjen e shqiptarëve nga faqja e dheut, por trimat tanë, edhe pse dhanë jetën nën tortura çnjerëzore, nuk u thyen kurrë u bënë edhe më të fortë drejt lirisë.

Mësuesi Bejtullah Ismajli
Më 10 Nëntor 2025, shumë qytetarë, në një ditë të zakonshme por historike, u mblodhën në qytet. Ekskavatorët gjigantë ushtonin duke rrënuar burgun, muret e të cilit për 68 vite ishin larë mijëra herë me gjakun e shqiptarëve. Ishte një ditë e madhe, e shumë njerz qanin nga gëzimi. Shumë prej tyre kishin përjetuar vuajtjet brenda atyre mureve që u lanë plagë të pashërueshme familjeve shqiptare.
Midis tyre ishte edhe axha im, mësuesi Bejtullah Ismajli, i cili kishte përjetuar torturat më çnjerëzore nga gardianët e UDBA-s në këtë burg.
Mësuesi Bejtullah, nga Kopernica e Kamenicës, që nga mosha 17-vjeçare (1952) kishte mbajtur ditarin në dorë për t’i arsimuar fëmijët, deri në pensionin e tij në vitin 1990–91.
Ai patriotizmin e kishte të trashëguar. Babai i tij, Sadiku, ishte atdhetar i kauzës shqiptare. Dy axhallarët e tij, Halili dhe Rexhepi, u vranë e u torturuan barbarisht nga forcat serbe. Njëri tjetër, Shukriu, ishte oficer i lartë i Ballit Kombëtar në Tiranë, ndërsa vëllai Rifati ishte marrë rob nga gjermanët dhe ishte mbajtur katër vite në Dortmund.
Mësuesi Bejtulla ishte betuar se nuk do të ndalej kurrë së luftuari për kauzën shqiptare.
Rënia e Burgut të Gjilanit më 10 Nëntor ishte një ndjenjë e përzier: gëzim, dhimbje dhe krenari. Pas 30 viteve, më parafytyrohej axha im brenda atij burgu famëkeq.
Ai u burgos për herë të parë në vitin 1991, si Kryetar i Komunës, ku u rrah, u torturua e u poshtërua në mënyrat më të egra të pushtetit serb, në kohën kur gjithçka shqiptare po zhdukej.
Ky burgim e bëri edhe më të fortë. Thoshte: “Jeta ime nuk është e imja – është e popullit tim.”
Në fillim të shkurtit 1995 e burgosin për herë të dytë, dhe e torturojnë fizikisht me çdo mjet të mundshëm. Ai nuk u thye asnjë çast. Në atë periudhë, në burgun e Gjilanit ndodhej edhe Voisllav Sheshel.
Shumë herë kisha bërë kërkesë që të shkoja ta vizitoja axhën tim dhe, pas shumë refuzimesh, më në fund m’u lejua që së bashku me bashkëshorten ta bënim vizitën në burg dhe ta shihnim pas 6 muajsh.
Nën vëzhgimin e rreptë të gardianëve, bashkë me bashkëshorten hymë në burg. Gardianët e sollën axhën me pranga në duar. Ishte i lodhur, e i rraskapitur… fillova të qaja bashkë me bashkëshorten nga gëzimi që po e shihja, por edhe nga dhimbja që ma copëtonte shpirtin. Në ballin e tij të djersitur kishte një fashë të madhe nga e cila i rridhte gjak. E pyeta se çfarë kishte ndodhur. Ai më tha: “Asgjë nuk është, jam lënduar dhe kam rënë mbi një radiator.” Ndërsa gardiani çdo fjalë tonën e dëgjonte me kujdes të shtuar.
Më vonë e mësova të vërtetën e hidhur: gardianët e kishin rrahur aq fort sa ia kishin kapur kokën dhe ia kishin përplasur për radiator. Po ashtu ia kishin lënduar shumë seriozisht veshkat, saqë e kishte të vështirë edhe të qëndronte në këmbë. Por zemra e tij nuk u dorëzua kurrë. Vizita jonë përfundoi duke e përqafuar dhe duke i thënë “mirë u pafshim së shpejti”.
Pas një jave që kishim qenë në vizitë, ishte ditë e shtunë e korrikut 1995 dhe pranë Ambulancës së ndihmës së shpejtë, tek xhamia Atik, para këmbëve tona u ndal një furgon i policisë. Të gjithë kalimtarët u ndalën për një moment të shihnin çfarë po ndodhte. Dhe në atë çast, nga furgoni e nxorën axhën tim, Bejtullahin, me pranga në duar. Dy gardianë e mbanin për krahësh, sepse ai nuk mund të ecte nga rrahjet dhe rraskapitja. Ata e futën mbrenda për vizitë mjekësore, ndërsa qëndronim jasht për ta parë edhe një herë.
Me zemër të lënduar që e shihja në atë gjendje, e shikova nga larg me shpirt të thyer, pa asnjë mundësi t’i flisja qoftë edhe një fjalë. Prita jashtë edhe pasi ata u larguan. Kur u hap mundësia, hyra në Ambulancë dhe pyeta se çfarë gjendje kishte personi që më herët ishte sjellë aty i arrestuar. Përgjigjen ma dha një doktoreshë shumë e respektuar (që e njoh shumë mirë sot), e cila më tha me dhimbje se personi kishte një gjendje shumë të rëndë shëndetësore.
Mësuesi Bejtullah u lirua pas 9 muajsh në gjendje të rëndë, por nuk ai u ndal kurrë. Përkundrazi, u bë edhe më i vendosur kundër pushtetit serb, derisa shëndeti filloi ta tradhtonte nga plagët që mori.
Me dinjitet dhe me zemër shqiptari, mësuesi Bejtullah ndërroi jetë më 25 shtator 1997, në moshën 62-vjeçare.
Ai la pas 40 vite si mësues, ishte kryetar i Kryesisë së Kryetarëve të Komunave të Kosovës, kryetar i Dhomës së Punës së Bashkuar në Gjilan, nismëtar i Pajtimit të Gjaqeve me Anton Çetën, nënkryetar dhe kryetar i Komunës së Gjilanit 1990–1997.
Burgu i Gjilanit u mbyll me 15 Qershor 2017 në ditën e Çlirimit të Gjilanit nga Okupatori Serb, ky burg ka qenë njëri ndër burgjet me famëkeqe ne Ish-Jugosllavi. Në këtë burg ka vuajtur dhe janë torturuar deri në vdekje të burgosurit shqiptarë për disa dekada./kryelajmi.com/.




