Shkruan: Izmi Zeka
Pakkush kishte menduar se jeta aq gjatë do të na mbante prapa grilave të robërisë. Gjithçka ishte shndërruar në një humnerë errësire, në të cilën nuk shihej asnjë fije drite e së cilës nuk i shihej fundi. Në këto rrethana lindi edhe Zahir Pajaziti. Zahir Pajaziti lindi më 1 nëntor të vitit 1962 në fshatin Turuqicë të Besianës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij të lindjes. Dëshira për t’i dalë zot vendit e popullit të tij e kishte nxitur që ta regjistronte Shkollën e Mesme, Shkollën e Policisë në vitin 1976 në Vushtrri. Por, Zahir Pajaziti nuk mund ta kryente këtë shkollë. Ai u përjashtua nga shkolla se bindjet e tij, ideali i tij, nuk kishin asgjë të përbashkët me regjimin e asaj kohe. Sa më shumë rritej Zahiri, aq më shumë rritej atdhedashuria e tij. Në vitin 1980, kur për shqiptarët e këndej kufirit, nëna Shqipëri ishte një ëndërr e parealizuar, ky bashkë me dy shokë të tij, kalojnë ilegalisht kufirin e Shqipërisë, por për fat të keq burgosen në Shkodër, ku edhe mbahen 18 ditë në burg. Pas kthimit në vendlindje ai burgoset nga policia lokale e Orllanit dhe dënohet me burg për kundërvajtje, meqë ishte i moshës së mitur. Në vitin 1981 fillon studimet në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës – Degën e gjuhës angleze. Zahiri, pasi kryen shërbimin e detyruar ushtarak në ish-Jugosllavi, duke i parë të gjitha padrejtësitë, kthehet në vendlindje, edhe më i bindur se kurrë më parë, se duhet luftuar për lirinë. Thënia “liria nuk fitohet pa gjak” është thënie e moçme sa vet populli ynë, është amanet i përcjell nëpër shekuj, nga babai te i biri. E ky amanet shekullorë erdhi edhe tek ai. Dhe këtij amaneti s’kishte se si mos t’i përgjigjej Zahiri. Në vitin 1991 Zahiri shkon në Shqipëri, por tani jo si një i mitur, por si një patriot që ka qëllimin e qartë: përgatitjen për luftën për liri. Pas mbarimit të të stërvitjeve ushtarake, në vitin 1992, kthehet në Kosovë me qëllim të organizimit të celulave të para të asaj ushtrie që më vonë do të hyn te në historinë tonë të lavdishme si UÇK. Gjatë viteve 1993-1994, Zahir Pajaziti me shokë angazhohet për zgjerimin e pikave të UÇK-së edhe në pjesë tjera të Kosovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake në të cilat Zahiri luante një rol të madh si në zgjerimin e fushës së ndikimit, po ashtu edhe në furnizimin me armatim. Edhe pse i rënë në sy të armikut, Zahir Pajaziti, sidomos gjatë viteve 1995-1997, zhvillon një veprimtari intensive. Ai, bashkë me bashkëluftëtarët e tij, kryen disa aksione të suksesshme guerile kundër policisë serbe dhe kundër veglave të Millosheviqit. Tashmë heshtja ishte thyer. Krisma e pushkës së Zahirit, kishte paralajmëruar agimin e lirisë. Nga ato krisma të armëve të skuqura nga gjaku i shqiptarëve, gjithçka ndryshoi. Janarit të acartë e të lavdishëm të shqiptarëve, janarit të Jusufit, Kadriut, Bardhoshit…iu bashkua edhe Zahiri. Më 31 janar 1997, Zahir Pajaziti ishte duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë me bashkëluftëtarët Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu. Atë ditë forcat serbe i kishin përcjellë me vëmendje lëvizjet e tij. Prita kryesore iu kishte vënë në rrugën Prishtinë-Mitrovicë. Në momentin kur Zahiri me bashkëluftëtarët e tij hetojnë pritën, të betuar për të mos rënë të gjallë në duart e armikut fillojnë sulmin. Por, breshëria e armëve armike kishte goditur pamëshirshëm veturën e tyre me ç’rast bien si burrat në altarin e lirisë: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Ky gjak i derdhur ka qenë vet jeta jonë. Një dëshmor i rënë në altarin e lirisë, ka zgjuar njëmijë pushkë kushtrimi. Djemtë dhe vajzat e Kosovës, nuk vonuan dhe u nisën përpara në rrugën e lavdishme të këtyre trimave që u bënë kurorë lirie. Tanimë kur rrezet e lirisë ngrohin rrënjët e përgjakura, askush nuk mund ta ndalë vrullin e jetës së një kombi që kaq shtrenjtë e pagoi lirinë.