Donjeta KRYEZIU
ROMAN I MBIJETESËS
(Beqir Musliu, KRUPA, roman, bootoi “Faik Konica, Prishtinë, 2004)
Romani “Krupa”, është një vepër që në nëntitull “Të Lijosurit në Ditën e Trembëdhjetë”, na paraqet një temë që do të rrëfejë për një sëmundje të një shekulli tashmë të kaluar, por që na e rikujton një kohë jo fort të largët që ne e kemi përjetuar. Sëmundja është një shenjë që ndodhitë ripërsëriten, sfidat rijetohen, vetëm ndryshojnë kohët, njerëzit, por edhe simptomat.
“Krupa”, është diçka e pështirë, e neveritshme, e sëmundja me të cilën përballen Isak Huma e të tjerët është e pështirë, njësoj si koha që ata e kalojnë në spital, në izolim. Personazhet si: Lita, Bisla, Zena, Qaza, Maku, Durmishi, Zani, Lulashi, etj, nuk janë të vetëdijëshëm as sa ditë kanë kaluar sepse çdo gjë kalon mes agonisë dhe pështjellimit ku realiteti nuk dallohet nga ëndrrat, parafytyrimet.
Karantinimi si shpëtim apo burgim
Karantinat A,B,C, janë ndarje që vendosen si kapituj midis dy kapitujve që hapin dhe mbyllin rrëfimin e që emërtohen si “Korniza”, I dhe II, “Përpara agonisë” dhe “Pas agonisë”, këto shpërfaqje në fakt janë një formë brendësie, një thelb i gjithë ngjarjes.
Pacientët janë të karantinuar për shkak se janë duke u përballur me një sëmundje të rrezikshme e cila përveç agonisë u shkakton edhe puçrra në trup.
“Nuk po mund ta nxjerr jashtë as gjuhën. Më është përskuqur edhe ajo. Më është tharë gjuha. Therake më është bërë. Si ferrë gomari. Ashkël. Edhe gjuhës sime filluan zbërthehen argoshet.”
Kjo sëmundje me të cilën po përballen Humasit, është një sfidë në vetë, është një kacafytje e përditshme me vdekjen, është një vuajtje për të cilën ata nuk janë të sigurtë a është një shpëtim apo një burgim. Dilema kryesore e pesonazhit kryesor Isak Humës është që në mes të agonisë ai nuk e dallon nëse kjo sëmundje është një mallkim apo një burgim.
“Humasit mendojnë se krejt kjo zallahi është e kurdisur në një log mejdani, në të cilin zhvillojnë betejën Allahu-gjeleshan-e-hu dhe Iblisi”
Isak Huma, është një qytetar i Humës, bashkëndjen me të gjithë të sëmurët sepse ai është njëri nga ta, vetëm se ai përveç përballjes me sëmundjen ka edhe një mision të veçantë, të dokumentojë në letër gjithçka që ndodhë gjatë karantinimit, gjatë mjekimit, kush vdes e kush mbijeton, dokumenton dialogët që bëjnë të sëmurët, amanetet që lënë e shumë të tjera.
Personazhi Isak Huma ka një ndjenjë përgjegjësie sikur ai duhet me patjetër të mbijetojë që ta vendosë në vend amanetin e të gjithë shokëve, kështu që sa herë që e humb shpresën për shpëtim i kujtohet se e ka një detyrë për ta përmbushur.
“Doktori Xh më tha: “Do të hysh në histori!” I thashë: “Përse!” Ai më tha: Sepse po mban shënimet më të rëndësishme të kësaj epoke…”
Pra, ai kishte një mision atë të dokumentimit, e dëshmitë janë një pjesë e rëndësishme për këtë epokë që askush nuk dëshiron që ajo të harrohet.
Kulla e Humasve
Kulla ka qenë gjithmonë një simbol i fuqishëm për shqiptarët, andaj edhe te vepra “Krupa”, kulla shërben si një strehë, një mbrojtje nga e panjohura që ndodhet jashtë asaj kulle.
“Kulla më është bërë si gojë e çaraveshur, varr i hapur. I mbyll sytë. Mbi atë varr të madh të hapur, në vend të kurora lulesh, janë ato prej therrave.”
Isak Huma shpesh do të dalë nga kjo kullë, por diçka shumë e fuqishme e ndalon sepse gjatë gjith kohës ai e ka në mendje shkrimin në hyrje të kullës: “HYRJA DHE DALJA NË KËTË PORTË JANË TË NDALUARA”, këto fjalë janë një paralajmërim, një urdhër që Isak Huma nuk mund ta shkelë asesi.
Konceptet hapësirë dhe kohë janë të ngatërruara, Isak Huma ndodhet në shumë vende njëkohësisht: në spital, në kullë, në zindan, e po ashtu ai i ngatërron edhe ditët që ka kaluar në këtë gjendje.
Personazhi kryesor është vazhdimisht në një dilemë, nuk di ta dallojë kohën dhe vendin, por ka gjëra që nuk i harron për asnjë moment familja e tij dhe nxënësit e tij.
“Vallë ku kanë arritur nxënësit e mi. Ndoshta e kanë kaluar germën A, tash janë te B-ja, ndoshta tash janë afruar edhe te S-ja…”
Kjo vepër ndërlidhë situatat me agonisë dhe realitetit, gjithçka që i ndodhë Isak Humës dhe shokëve të tij të dhomës është një realtet i krijuar nga agonia që nuk ka fund, ata e presin Shpresën, ëndërrojnë për të vazhdimisht, por ajo nuk vjen, duket sikur po luan me ta.
Karantinimi, shpërthimi i vazhdueshën i aglosheve është një luftë për mbijetesë siç thotë edhe Isak Huma: “Jeta është njëfarë lufte”, ata po përpëliten me forcat e fundit që të mbijetojnë, por bardhësia në fund tregon se ata nuk ja arritën.
Vepra “Krupa” e Beqir Musliut me mënyrën e të rrëfyerit, mes nënvetëdijes e vetëdijes mes kufrit të realitetit dhe imagjinatës është një vepër që paraqet mesin mes shpresës dhe dorëzimit, aty diku në mes ne përpëlitemi për të mbijetuar, por gjithçka tjetër është më e fuqishme se ne.
Përballja me karantinën, besimi e mohimi i fuqisë hyjnore, rikujtimi i vazhdueshëm se vdekja është e pashmangshme ndërlidhen vazhdimisht me grotesken, shpërthimi i vazhdueshëm i argosheve, të cilat nuk e lënë të qetë Isak Humën për asnjë moment ia kujtojnë vazhdimisht arsyen se pse ai është i ngujuar aty.
Letërsia synon gjithmonë të jetë universale, e tejkohshme e kjo vepër bashkë me karantinën dhe agoninë si kapituj kryesorë na kujtojnë një realitet jo fort të largët që ne e kemi jetuar, fundja çdo shekull vjen me nga një sëmundje, e çdo sëmundje me nga një vuajtje që lë shenja të pashërueshme të cilat mbeten si dëshmi e asaj që njeriu nuk do ta harrojë asnjëherë
Gjilan, 24 janar 2026
________________________
( Kjo kumtesë u paraqit në tryzën letrare të Manifestimit kombëtar të kulturës, “Flaka e Janarit” 2026, që u organizua më 24 janar 2026, në Bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli”, në Gjilan, në nderim të shkrimtarit Beqir Musliu, që u organizua në shenjë të 30 vjetorit të kalimit të Tij në amshim).





