Humanisti i njohur nga fshati Bresalc, Haxhi Ramadan Muji, ka vazhduar misionin e tij fisnik në prag të festës së Kurban Bajramit, duke u dalë në ndihmë qytetarëve dhe familjeve me kushte të rënduara ekonomike.
Në cilësinë e kryetarit të Shoqatës Humanitare “Dora”, Muji ka shpërndarë këtë vit 35 pako ushqimore për familjet në nevojë. Ky aksion ka për qëllim t’u lehtësojë barrën financiare këtyre familjeve, duke mundësuar që tryezat e tyre të jenë të mbushura dhe festa të jetë më e gëzueshme për të gjithë.
Kjo iniciativë solidare tashmë është kthyer në një traditë. Tash e afro 16 vjet, Haxhi Ramadan Muji kujdeset rregullisht për t’u qëndruar pranë atyre që kanë më shumë nevojë, duke treguar një përkushtim të palëkundur ndaj njerëzve në vështirësi.
Qytetarët dhe familjet përfituese të këtyre ndihmave u shprehën thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që marrin ndër vite.
“Jemi shumë falënderues për ndihmën që na jep çdo vit. Këto pako na lehtësojnë shumë festën dhe na bëjnë të ndihemi të përkrahur,” u shpreh njëri nga qytetarët përfitues.
Veprat e tilla të solidaritetit theksojnë rëndësinë e humanizmit dhe përkrahjes, duke shërbyer si një shembull i shkëlqyer se si individët dhe shoqatat mund të bëjnë një ndryshim të prekshëm në shoqëri, veçanërisht gjatë ditëve të festave.





