Fillimisht, homazhe dhe vendosje kurorash me lule u bënë pranë varrezave të dëshmorëve në Viti, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale, subjekteve politike, organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Policisë së Kosovës, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, personeli arsimor dhe nxënësit e shkollës “Bafti Haxhiu”.
Më pas, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti, u mbajt manifestimi qendror kushtuar Ditës së Shkollës, ku u fol për jetën, veprën dhe sakrificën e dëshmorëve Bafti Haxhiu dhe Salih Zenuni, të cilët ranë heroikisht më 26 maj 1999 në malet e Gorozhupit të Hasit, si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fjalën e tij, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, theksoi rëndësinë që ka ruajtja e kujtesës për dëshmorët dhe edukimi i brezave të rinj me vlerat e lirisë dhe atdhedashurisë.
“Shkolla është vatër e dijes, por kur ajo mban emrin e një dëshmori, ajo bëhet edhe tempull kujtese e frymëzimi. Brezat që rriten në këtë institucion do ta kenë gjithmonë para vetes shembullin e atyre që sakrifikuan jetën për lirinë që ne e gëzojmë sot”, u shpreh Haliti.
Ai kujtoi me nderim edhe dëshmorin nga Lubishta, Salih Zenuni, duke theksuar se emrat e tyre mbeten të lidhur përgjithmonë me historinë e lavdishme të luftës çlirimtare të Kosovës.
“Sot kujtojmë me nderim të thellë dëshmorin Bafti Haxhiu, por njëkohësisht edhe dëshmorin, Salih Zenuni, të cilët ranë në të njejtën ditë në altarin e lirisë. Emrat e tyre mbeten të lidhur përgjithmonë me historinë e lavdishme të luftës sonë çlirimtare dhe me rrugën e sakrificës për Kosovën e lirë”, tha ai.
Kryetari Haliti shtoi se sakrifica e dëshmorëve mbetet udhërrëfim për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.
“Në këtë përvjetor të rënies së tyre heroike, ne rikujtojmë se dëshmorët nuk janë vetëm pjesë e historisë sonë, por janë themel i së tashmes dhe udhërrëfyes për të ardhmen. Sakrifica e tyre na obligon të punojmë çdo ditë për dije, zhvillim, unitet dhe për një shoqëri më të mirë”, theksoi Haliti. Për historikun e shkollës, rezultatet dhe të arriturat e saj, foli drejtori i shkollës, Afrim Rrustemi, i cili përmendi sukseset e arritura në garat e diturisë dhe garave sportive të nxënësve të kësaj shkolle. Në emër të shoqatave të dala nga lufta foli kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Viti Xhevgjet Ademi ndërsa në emër të familjes Haxhiu të pranishmit i përshëndeti Lulzim Haxhiu.
Në kuadër të manifestimit, nxënësit e shkollës shfaqën një program të pasur artistik e kulturor kushtuar dëshmorëve dhe luftës për liri.


