Sabit Rrustemi
SHOU I MAPETËVE
(Cikël poetik)
1. PRITJA SHKURTON FJALËT
Zyrtarët harruan mëngjesin
në xhepa
Dhe veten në durim
Jij i kujdesshëm
pritja shkurton fjalët
– udhën deri në shtëpi
2. RENDI I MAPETËVE
Mapetët duken fisnikë
fisnikërisht të presin
me një prekje trupit
dhe një buzëqeshje
Mapetët duket se kanë rend
nga hyrja deri në salon
të vijnë pas
me një lule në krahëror
3. USHTRIMI I HESHTJËS
Dy kartela pro e kontra
i ke gratis
Kurseje frymën
nofullat
dhëmbët
e Gjuhën
Vetëm dorën përdore
ngrit kartelën
Misioni yt kështu e ka
pa e hapur gojën
ta ushtrosh heshtjen
4. BUZËQESHJA NË PAUZË
Kopshti si mos të jetë natyral
dhe uji
dhe trupi yt gjysmëvertikal
Vetëm tavolinat e kauçukta
karriket
e – natyrisht dhe fjalët
duken artificiale
Kot gënjehesh për drekimin falas
buzëqeshja në pauzë
del e zgërdhisht
E ke hangër baco
me një pagesë të dyfishtë
dhe jashtëqitje të vazhdueshme
ushqimin e skarave të nxira
s’e bluajnë zorrët e petosura
5. UDHA SHTERPË
Kemi qëlluar ngusht
fotele kemi pak
uljen do ta bëjmë me gishta
Sa më shumë gishta
për një bythë
dhe një fotele
Numroni mirë kartelat
Ah …
më falni për një lëshim rasti
Para se t’i ulim bythët
udhën duhet rrahur
shterpë na doli
lirinë ende nuk e solli
Në shtratë gjarprinjsh
kurthuar rri Ajo
po kush ta çlirojë
kush t’i zgjatë duart
pas Saj të niset –
pa fole mbetet
Dëmshpërblimi për guxim
dy metra tokë kushton
plus – dhe një këngë
Urraaa
askush i pari
6. ZHURMË E PLUHURT
Vetëm zhurma e rrahjes së duarve
pluhurin shkund
dhe dhëmbët që bluajnë fjalë
Urime muskujt pa asht koha ime
portën e ndërgjegjës
ekzalti fals e mbuloi
(14 korrik 1994 – verë, 1997)
_________________________
Nga libri i tretë poetik , botuar nga Redaksia e botimeve “Rilindja”, Prishtinë, 1997





