ARSIMI

Jeton Rexhepi, drejtor i Arsimit, nis vizitat nëpër shkolla, e para Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti”

Jeton Rexhepi, drejtor i sapozgjedhur i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, vizitat nëpër shkollat e Gjilanit i ka nisur në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, ku është mirëpritur nga drejtori i shkollës, Bekim Mustafa, zëvendësdrejtori, Agim Asllani, koordinatori i cilësisë, Sami Selishta, sekretarja e shkollës Rina Arifi dhe këshilltarët për karrierë Enver Sadiku dhe Enver Rexhepi.

I shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, drejtori Jeton Rexhepi, ka thënë se ka nisur vizitat nëpër shkolla, me qëllim që nga afër të njihet me të arriturat, por edhe me vështirësitë me të cilat po përballen shkollat e Gjilanit. Ai ka thënë se drejtoria e Arsimit ka nisur t’i analizojë proceset, po takon stafet udhëheqëse të shkollave me qëllim të koordinimit të punëve.

Rexhepi është ndalë te proceset që i presin shkollat e mesme, si fundi i viti shkollor, testi i maturës, ekskursionet, mbrëmja e maturës si dhe librat e gjeneratës dhe ka thënë se janë në proces të angazhimit e të koordinimit me shkollat me qëllim që të mënjanohen defektet e mundshme.

Jeton Rexhepi, drejtor është ndalë edhe te puna e koordinatorëve të cilësisë, këshilltarëve të karrierës, të sekretarëve e psikologëve dhe është angazhuar që të punohet bashkërisht, uniform dhe me rregulla të njëjta për të gjitha shkollat.

“Jam ithtar i rregullit dhe disiplinës nëpër shkolla, andaj secili duhet të jetë përgjegjës për punën e vet”, ka thënë drejtori i Arsimit Jeton Rexhepi, duke u angazhuar që të gjenden zgjidhjet më të mira për institucionet tona shkollore, duke u angazhuar që planet e shkollës të jenë të harmonizuara, të dihet saktë se cilat janë kërkesat imediate të shkollave dhe të trajtohen kërkesat që janë me prioritet.

Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka theksuar se gjendja në këtë shkollë është e mirë dhe se punët po shkojnë mirë e mbarë. Ai ka thënë se drejtoria e Arsimit do të ketë përkrahjen e plotë dhe se bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe ka kërkuar që gjatë procesit të rekrutimit të mësimdhënësve të kihet parasysh që në këtë shkollë të dërgohen mësimdhënësit më të aftë e më të përgatitur, ngase kërkesat për mësimnxënie janë të tilla.

Edhe Sami Selishta, koordinator i cilësisë në Gjimnaz, por edhe Jetmir Jerliu nga DKA, kanë folur për sfidat që i presin shkollat në ditët dhe muajt në vijim si organizimi i ekskursioneve, uniformat shkollore, tabelat e mençura nëpër shkolla e ndryshimet e rregulloreve, krejt këto me qëllim që të rritet cilësia nëpër shkolla.

You Might Also Like