Emin AZEMI
SABIT RRUSTEMI, NDËRMJET POETIKËS SË DASHURISË DHE BIOGRAFISË SË QËNDRESËS
Në korpusin e letërsisë bashkëkohore shqipe, krijimtaria e Sabit Rrustemit përfaqëson një nga trajektoret më të qëndrueshme dhe më koherente të zhvillimit të poezisë lirike në hapësirën shqiptare. Në prag të pesëdhjetëvjetorit të veprimtarisë së tij krijuese (1977–2027), vepra e Sabit Rrustemit shfaqet si një univers estetik i ndërtuar mbi përvojën ekzistenciale, mbi kujtesën historike dhe mbi metafizikën e dashurisë, duke e vendosur atë në një nga pozicionet më të rëndësishme të sistemit letrar shqiptar. Që nga poezia e tij e parë e botuar në vitin 1977 në revistën “Zëri i rinisë”, e deri te vëllimet e fundit poetike si “Shprush nëpër dej” (2025), krijimtaria e Rrustemit dëshmon një vazhdimësi organike, ku poezia nuk është vetëm një formë shprehjeje, por një mënyrë e të jetuarit dhe e të menduarit për botën.
Krijimtaria e Sabit Rrustemit nuk është vetëm një seri botimesh të shpërndara në kohë, por një projekt i konsoliduar estetik dhe ontologjik, i ndërtuar mbi një kontinuitet të rrallë krijues që nga fundi i viteve shtatëdhjetë e deri në dekadat e fundit. Ky kontinuitet nuk duhet kuptuar si një përsëritje e vetvetes, por si një proces i vazhdueshëm i thellimit të vetëdijes poetike, ku çdo vëllim shënon një fazë të re të artikulimit të përvojës ekzistenciale përmes shprehjes së figurshme gjuhësore. Në këtë aspekt, krijimtaria e tij përfaqëson një formë të evolucionit organik estetik, ku poeti nuk e braktis identitetin e tij poetik, por e transformon atë në përputhje me përvojën jetëshkrimore dhe shpirtërore.
Ndërthurja e përvojës personale dhe përvojës poetike
Profili i Sabit Rrustemit si autor nuk mund të kuptohet pa analizuar dimensionin e tij biografik, sepse përvoja personale dhe përvoja poetike janë të ndërthurura në mënyrë të pandashme. Rrëfimet e tij për fëmijërinë dhe për perceptimin e hershëm të shkrimtarëve si figura që “jetojnë brenda librave” përfaqësojnë një metaforë të fuqishme të marrëdhënies midis individit dhe fjalës. Ky perceptim fëmijëror nuk është thjesht një kujtim anekdotik, por një tregues i hershëm i mënyrës se si ai e koncepton letërsinë si një hapësirë ontologjike të veçantë, ku ekzistenca dhe gjuha bashkohen. Vetë fakti që ai nuk e konsideron veten shkrimtar si një status të arritur, një here e përgjithmonë, por si një proces të vazhdueshëm përpjekjeje, tregon një vetëdije të thellë etike mbi rolin e krijuesit. Për të, të qenit shkrimtar nuk është vetëm një çështje e botimit të librave, por një çështje e integritetit moral dhe e përkushtimit ndaj së vërtetës estetike.
Ky dimension etik dhe ekzistencial i krijimtarisë së tij merr një kuptim të veçantë kur analizohet në kontekstin e përvojës së censurës dhe të represionit politik që ai përjetoi në rininë e tij. Dënimi dhe burgosja për një tregim letrar përfaqësojnë një moment kritik jo vetëm në biografinë e tij personale, por edhe në formimin e vetëdijes së tij poetike. Përvoja e burgosjes së tij në vitin 1981, si pasojë e tregimit “Nën maskën e mysafirëve”, përbën një moment kyç në biografinë dhe në vetëdijen e tij krijuese. Kjo përvojë nuk shfaqet drejtpërdrejt si narrativë dokumentare, por si një ndjenjë e përhershme e kufirit, e heshtjes së imponuar dhe e rezistencës së brendshme, që përshkon shumë nga tekstet e tij poetike. Në këtë kuptim, krijimtaria e tij bëhet një hapësirë e lirisë së brendshme, një mënyrë për ta ruajtur integritetin shpirtëror përballë presionit të jashtëm.
Në planin teorik, kjo përvojë mund të interpretohet përmes konceptit të traumës kulturore, ku ndërprerja e procesit krijues nga një forcë e jashtme prodhon një transformim të brendshëm të subjektit krijues. Burgosja nuk ishte vetëm një kufizim fizik, por një përpjekje për të kontrolluar dhe për të heshtur fjalën. Megjithatë, pikërisht ky kufizim krijoi një tension të brendshëm që më vonë do të bëhej një nga burimet më të rëndësishme të fuqisë estetike të poezisë së tij. Në këtë kuptim, krijimtaria e Rrustemit mund të lexohet si një formë e rikthimit të zërit, si një proces i rivendosjes së subjektit në hapësirën simbolike të lirisë, ku fjala bëhet një akt i vetë-pohimit ekzistencial.
Krijimtaria, një princip themelor i organizimit të mendimit
Një nga tiparet më të dallueshme të stilit të Sabit Rrustemit është natyra esencialisht poetike e gjuhës së tij, edhe atëherë kur ai shkruan në gjini të tjera, si tregimi apo proza dokumentare. Në prozën e tij, fjala nuk e humb tensionin poetik, por ruan densitetin figurativ dhe ngarkesën simbolike që e karakterizon narracioni dhe procedun lirik. Kjo dëshmon se krijimtaria për Rrustemin nuk është vetëm një formë e caktuar strukturore, por një princip themelor i organizimit të mendimit dhe i ndërtimit të realitetit artistik. Ai e ndërton tekstin mbi një gjuhë që njëkohësisht mbështetet në fondin e pasur të shprehjes popullore dhe në një stil modern, duke krijuar një ndërthurje të natyrshme midis traditës dhe inovacionit. Vargu i tij është i lirë, i çliruar nga kufizimet metrike dhe rimore, duke i mundësuar autorit një hapësirë më të gjerë për eksplorimin e përjetimeve të brendshme dhe për ndërtimin e një ritmi që buron nga vetë përmbajtja emocionale e tekstit.
Në planin epistemologjik, poetika e tij mund të interpretohet si një formë e njohjes poetike, ku fjala nuk është vetëm një mjet komunikimi, por një instrument për të kuptuar realitetin. Poezia, në këtë kontekst, nuk është një reflektim pasiv i botës, por një akt aktiv i rikonstruimit të kuptimit. Ky koncept e vendos krijimtarinë e tij në linjë me traditat moderne të poezisë evropiane, ku gjuha poetike nuk përfaqëson realitetin, por e krijon atë. Vargu i lirë, që përbën një nga karakteristikat themelore të stilit të tij, nuk është një shenjë e mungesës së disiplinës formale, por një strukturë organike që ndjek ritmin e mendimit dhe të përvojës. Kjo e bën poezinë e tij një formë të artikulimit të drejtpërdrejtë të vetëdijes, ku forma dhe përmbajtja janë të pandashme.
Një nga kategoritë më të rëndësishme për interpretimin e veprës së tij është ontologjia poetike, pra mënyra se si poezia artikulon përvojën e qenies. Në këtë kuptim, bie fjala, titulli i vëllimit “Shprush nëpër dej” përfaqëson një metaforë të fuqishme të këtij projekti estetik. “Shprushja” simbolizon rikthimin e energjisë shpirtërore, rizgjimin e kujtesës dhe të identitetit, ndërsa “dej”-të përfaqësojnë hapësirën ku qarkullon jeta. Kjo metaforë krijon një lidhje të drejtpërdrejtë midis trupit dhe shpirtit, duke e shndërruar poezinë në një proces të rizgjimit ekzistencial. Në këtë aspekt, krijimtaria e tij mund të interpretohet si një antropologji poetike, ku subjekti eksploron vetveten dhe raportin e tij me botën përmes gjuhës.
Në planin semiotik, poezia e Sabit Rrustemit karakterizohet nga një densitet i lartë kuptimor dhe nga një ekonomi e fortë shprehjeje. Ai përdor struktura sintaksore të thjeshta, por të ngarkuara me kuptime të shumëfishta, duke krijuar një tension midis qartësisë dhe ambiguitetit. Ky tension është një nga elementet që e bëjnë poezinë e tij të hapur ndaj interpretimeve të ndryshme dhe që e vendosin lexuesin në një rol aktiv në procesin e receptimit dhe komunkimit. Së këndejmi, poezia Sabitm Rrustemit nuk është një tekst i mbyllur, por një hapësirë dialogu midis autorit dhe lexuesit.
Dashuria nuk është vetëm një temë poetike, por një mënyrë e të kuptuarit të qenies
Dashuria përbën kategorinë qendrore tematike të krijimtarisë së tij dhe funksionon si një princip ontologjik që organizon të gjithë universin poetik. Dashuria tek ai nuk kufizohet në dimensionin sentimental, por shtrihet në disa nivele kuptimore: dashuria njerëzore, dashuria erotike, dashuria shpirtërore dhe dashuria hyjnore. Në ciklet e tij lirike, dashuria nuk paraqitet vetëm si një ndjenjë personale, por si një përvojë universale që lidh njeriun me dimensionin e transcendencës. Ajo shndërrohet në një formë të energjisë ekzistenciale që e tejkalon kohën dhe hapësirën. Në këtë kuptim, dashuria nuk është vetëm një temë poetike, por një mënyrë e të kuptuarit të qenies. Kjo shumësi dimensionale e dashurisë arrin kulmin në projektin monumental “Hyjnorja ime je ti”, një korpus poetik i ndërtuar në katër vëllime dhe dymbëdhjetë libra, që përbën një nga ndërmarrjet më ambicioze të poezisë shqipe bashkëkohore. Në këtë projekt, dashuria shndërrohet në një princip themelor të ekzistencës, në një energji që e lidh individin me tjetrin, me natyrën dhe me transcendencën. Edhe vëllimi “Ndezje yjesh në zemër”, i përzgjedhur dhe i analizuar nga studiuesi Anton Nikë Berisha, i cili përfshin vëllimet poetike: “Ku i la lisat era”; “Besoj në një diell”; “Variacione për lirinë”; “Shiu i buzëve tua”; “Nën qerpikun tënd”; “Zjarrmi e kthjelltë”; “Në fytyrën e një gjethi”; “Murale shpirti”; “Grafite nënlëkurore” dhe poezi në dorëshkrim, përbën një sintezë të rëndësishme të poetikës së dashurisë tek Rrustemi. Në këtë përmbledhje, dashuria paraqitet si një përvojë komplekse që përfshin ekstazën dhe dhimbjen, shpresën dhe zhgënjimin, duke reflektuar kompleksitetin e vetë ekzistencës njerëzore. Kjo e bën poezinë e Rrustemit të ngjashme me një epikë lirike, ku përjetimet individuale marrin përmasa universale dhe ku subjekti poetik përshkon një proces të vazhdueshëm transformimi dhe katarze.
Përveç dashurisë, një tjetër shtresë e rëndësishme tematike në krijimtarinë e tij është përvoja historike dhe ekzistenciale e individit shqiptar në kontekstin e represionit dhe të lirisë.
si dhe raporti i tij me natyrën, e cila shfaqet si një hapësirë reflektimi dhe si një pasqyrë e gjendjeve të brendshme të subjektit poetik. Elementet natyrore si gjethet, shiu, zjarri, drita apo era nuk janë vetëm elemente deskriptive, por bartin një funksion simbolik, duke shprehur ciklin e jetës, kalimin e kohës dhe transformimin e përhershëm të qenies. Kjo e vendos poezinë e tij në një traditë të gjerë lirike, ku natyra dhe subjekti poetik ndërveprojnë në mënyrë të ndërsjellë, duke krijuar një hapësirë të përbashkët ku përvoja individuale merr kuptim universal.
Kujtesa nuk është një depo statike e përvojës, por një proces dinamik
Një dimension tjetër thelbësor është raporti i poezisë së tij me kohën dhe kujtesën. Poezia e tij ndërton një dialog të vazhdueshëm midis së kaluarës dhe së tashmes, duke e shndërruar kujtesën në një hapësirë aktive krijimi. Kujtesa nuk është një depo statike e përvojës, por një proces dinamik që vazhdimisht riformëson identitetin e subjektit poetik. Në këtë kuptim, poezia e Rrustemit mund të interpretohet si një arkiv estetik i përvojës, ku fjala poetike shërben si një mjet për të ruajtur dhe për të transformuar atë që koha rrezikon ta zhdukë.
Në planin intertekstual, krijimtaria e tij ndërton një dialog të heshtur me traditën poetike shqiptare dhe me poetikën moderne evropiane. Ai e ruan lidhjen me traditën lirike shqiptare, por njëkohësisht e transformon atë përmes një gjuhe moderne dhe simbolike. Në këtë kuptim, ai përfaqëson një pikë ndërmjetëse midis traditës dhe modernitetit, midis kujtesës kolektive dhe përvojës individuale.
Në planin figurativ, poezia e Sabit Rrustemit shquhet për përdorimin intensiv dhe të rafinuar të metaforës, e cila shndërrohet në instrumentin kryesor të ndërtimit të kuptimit poetik. Metafora tek ai nuk është një ornament retorik, por një strukturë e thellë semantike që e organizon përvojën poetike dhe e transformon realitetin në një dimension simbolik. Titujt e veprave të tij, si “Në fytyrën e një gjethi”, “Murale shpirti”, “Grafite nënlëkurore” apo “Shprush nëpër dej”, dëshmojnë për një poetikë të ndërtuar mbi imazhe organike dhe mbi një ndjeshmëri që e përjeton trupin, natyrën dhe shpirtin si një tërësi të pandarë.
Në një nga intervistat e fundit, Sabit Rrustemi ka shfaqur edhe reflektimet e tij mbi gjendjen e letërsisë bashkëkohore, të cilat përbëjnë një dimension tjetër të rëndësishëm të profilit të tij intelektual. Ai shpreh një vetëdije kritike për krizën e kritereve estetike dhe për rrezikun e relativizimit të vlerave letrare në një kontekst kulturor të karakterizuar nga tranzicioni dhe nga mungesa e një sistemi të konsoliduar kritik. Ky qëndrim nuk është vetëm një kritikë e jashtme, por një vazhdim i etikës së tij krijuese, ku vlera estetike dhe integriteti moral janë të pandashme.
Në këtë kontekst, Sabit Rrustemi shfaqet si një figurë që e tejkalon kufirin e një autori individual dhe bëhet një simbol i qëndrueshmërisë së fjalës poetike në përballje me jehonën e kohërave. Krijimtaria e tij përfaqëson një arkitekturë të gjerë lirike, ku fjala poetike funksionon si një formë e ekzistencës dhe si një akt i njohjes. Poezia e tij dëshmon se fjala mund të mbijetojë edhe në kushtet e heshtjes së imponuar dhe se arti mund të shndërrohet në një formë të rezistencës shpirtërore.
Në kuptimin stilistik, poezia e Rrustemit karakterizohet nga një ekuilibër midis qartësisë dhe thellësisë. Ai nuk e mbingarkon vargun me hermetizëm të panevojshëm, por arrin të krijojë një densitet kuptimor përmes një gjuhe të kapshme dhe të natyrshme. Kjo e bën poezinë e tij njëkohësisht të komunikueshme dhe të hapur ndaj interpretimeve të shumta. Figuracioni i tij është i ndërtuar mbi kontraste të forta semantike zjarri dhe hiri, drita dhe errësira, prania dhe mungesa duke krijuar një tension të vazhdueshëm poetik që e mban tekstin në një gjendje dinamike.
Fjala si një formë e qenies dhe poezia një mënyrë e mbijetesës shpirtërore
Sabit Rrustemi duhet të lexohet jo vetëm si një poet i dashurisë dhe i introspeksionit, por si një autor që ka ndërtuar një sistem të plotë poetik, ku estetika, etika dhe historia ndërthuren në mënyrë të pandashme. Vepra e tij përfaqëson një dëshmi të fuqisë së poezisë për të ruajtur identitetin dhe për të artikuluar përvojën njerëzore në të gjitha dimensionet e saj.
Krijimtaria e Sabit Rrustemit përfaqëson një nga përvojat më të konsoliduara dhe më të rëndësishme të poezisë shqipe bashkëkohore. Stili i tij, i ndërtuar mbi një gjuhë poetike të pasur dhe mbi një figuracion të fuqishëm metaforik, tematika e tij e përqendruar në dashurinë, lirinë dhe ekzistencën, si dhe përkushtimi i tij i gjatë dhe i pandërprerë ndaj letërsisë, e bëjnë atë një nga zërat më autentikë dhe më të qëndrueshëm të traditës sonë letrare. Në prag të pesëdhjetëvjetorit të krijimtarisë së tij, vepra e Sabit Rrustemit mund të lexohet si një dëshmi e fuqisë transformuese të poezisë dhe si një arkiv shpirtëror i përvojës njerëzore, ku fjala poetike shndërrohet në një akt të vazhdueshëm të rizgjimit të jetës dhe të kuptimit.
Për rrjedhojë, ai mbetet një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të poezisë shqipe bashkëkohore, një poet që ka arritur të shndërrojë fjalën në një formë të qenies dhe poezinë në një mënyrë të mbijetesës shpirtërore dhe kulturore.
Mars, 2026
__________________
( E lexuar më 3 Mars 2026, në sallën solemne të Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”,në Prishtinë, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve, ku i ftuar nga Stafi i kësaj biblioteke ishte shkrimtari Sabit Rrustemi).




