Takimi me qytetarët në Shkollën e Muzikës
Më 9 shkurt të vitit të kaluar Lëvizja VETËVENDOSJE! i pati afër 400 mijë vota në zgjedhjet qendrore. Më 28 dhjetor arritëm bashkë afër 500 mijë vota. E më 7 qershor le t’i kalojmë 500 mijë vota dhe ta shënojmë fitoren e radhës, edhe më të madhe e vendimtare, që t’i japim shtetit tonë institucione funksionale e t’ia mbyllim bllokut opozitar shtigjet të cilat po i shfrytëzojnë për ta mbajtur shtetin peng.
Nga Gjilani dhe Anamorava e vazhduam mobilizimin për zgjedhjet e ardhshme. Brezave aktual dhe atyre që do të vijnë pas nesh duhet t’ua lëmë trashëgimi një Kosovë gjithnjë e më të zhvilluar dhe prosperuese.
Po ndërtojmë shkollat dhe çerdhet; po investojmë në ushtri, mbrojtje e siguri, me pajisje e armatim, industri dhe prodhim; po e rrisim mbështetjen për fëmijët dhe studentët, nënat lehona dhe të gjitha familjet. Dora e mirë e shtetit po prek aty ku më herët nuk shfaqej dot. 116 është numri, 7 qershori është dita, kur votojmë për progresin shoqëror, rritjen ekonomike dhe sigurinë shtetërore e qytetare.
Takimi me sportistët
Me sportistë e sportdashës të Gjilanit biseduam për punën e rezultatet e deritanishme dhe për synimet, planet e programin tonë qeverisës në këtë fushë.
Tash e kemi Ministrinë e Sportit dhe Rinisë, sepse sporti dhe rinia zhvillohen bashkë dhe nxisin potencialin për rritjen e talenteve.
Programet Sporti në Shkolla dhe “Drejt Malit” po e lidhin sportin me arsimin dhe të rinjtë me natyrën, duke e trajtuar atë jo vetëm si argëtim e shëndet por edhe garë që kultivohet nga fëmijëria.
Përgjatë viteve të fundit e kemi rritur buxhetin për subvencionim të sportit; programi Super Sportistët ka sjellë 4 milionë euro mbështetje për cikël olimpik për sportistët drejt suksesit në gara ndërkombëtare; kemi mbështetur qindra sportistë të organizatave sportive përmes thirrjeve publike, një praktikë që nuk ka ekzistuar më parë; dhe Komiteti paralimpik dhe olimpiada speciale për herë të parë gëzojnë mbështetje shtetërore të dinjitetshme dhe ofron mundësi që të kemi aktivitete vendore dhe ndërkombëtare për sportistët me aftësi të kufizuara.
E në Gjilan po ndërtojmë edhe Stadiumin e Qytetit, me kapacitet prej 8,750 ulësesh. Kostoja e përgjithshme e projektit është në shumën prej 12 milionë e 740 mijë euro. Po punohet pa u ndal që projekti të përfundojë sa më parë.
Takimi me banorët e lagjes “Arbëria”
Për rritjen ekonomike, investimet në ushtri, mbrojtje e siguri, rolin dhe përfshirjen e diasporës në politikat qeverisëse, biseduam me banorë të lagjes Arbëria në Gjilan.
Bashkëbisedimi që e patëm ishte me rëndësi dhe cilësi, përveçse i mbushur me perspektiva të reja, ide dhe kuriozitet.
Faleminderit për mikpritjen e përzemërt dhe përkrahjen tuaj të madhe dhe të sinqertë!





