Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara për shënimin e “Javës së Gjelbër”, sot në Pozheran u realizua me sukses aktiviteti “Dita e Pastrimit të Pozheranit”, si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet Mërgatës së Pozheranit, SHMLM “Kongresi i Manastirit”, SHFMU “Halil Alidema” dhe Komunës së Vitisë. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili së bashku me përfaqësues institucionalë, nxënës, mësimdhënës dhe akterë të tjerë lokalë, përkrahu nga afër këtë nismë me rëndësi për mbrojtjen e mjedisit dhe ndërgjegjësimin qytetar.

Gjatë këtij aktiviteti u realizua pastrimi i rrugëve kryesore të Pozheranit, si dhe i hapësirave përreth institucioneve publike, përfshirë objektet shkollore dhe ambulancën, duke kontribuar në përmirësimin e dukshëm të ambientit dhe higjienës në këtë lokalitet. Komuna e Vitisë mbetet e përkushtuar në vazhdimësi në ndërmarrjen e iniciativave konkrete për pastrimin e hapësirave publike dhe rritjen e vetëdijesimit qytetar për një ambient të pastër dhe të shëndetshëm, duke inkurajuar përfshirjen aktive të të gjitha shtresave të shoqërisë. Ky aktivitet përbën një shembull të mirë të bashkëpunimit institucional dhe qytetar në funksion të ruajtjes së ambientit dhe përmirësimit të hapësirave publike. Falë angazhimit të përbashkët, u arrit pastrimi i një numri të konsiderueshëm zonash në Pozheran, duke ndikuar drejtpërdrejt në krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm për qytetarët. Me këtë rast, u shpreh mirënjohje e veçantë për nxënësit, të cilët treguan kulturë të lartë qytetare dhe përgjegjësi ndaj mjedisit, si dhe për mësimdhënësit, përfaqësuesit institucionalë dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë që kontribuuan në realizimin me sukses të këtij aktiviteti me vlerë edukative, sociale dhe komunitare.Aziz Zuka





