Pas tri netëve me atmosferë festive dhe interpretimesh të pasura artistike, është përmbyllur mbrëmë në Viti Festivali i këngëve dhe valleve “Flakadani i Karadakut 2026”, duke shënuar njëkohësisht edhe edicionin jubilar të 25-të të këtij manifestimi tradicional kulturo-sportiv.
Në këtë festival morën pjesë ansamble dhe shoqëri kulturo-artistike nga të gjitha trevat shqiptare, të cilat sollën para publikut vlera të mirëfillta të trashëgimisë sonë shpirtërore, përmes këngës, valles dhe kostumeve tradicionale. Në mbrëmjen finale, një fjalë përshëndetëse mbajti kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, si dhe kryetarja e komunës së Preshevës Ardita Sinani.
Juria profesionale, e përbërë nga Sami Piraj, Fehim Leka dhe Mustafë Lamallari, vlerësoi performancat dhe shpalli më të dalluarit e këtij edicioni.
Çmimi i parë i takoi ansamblit “Kastriotët” nga Ferizaj, ndërsa vendi i dytë u nda për Ansamblin “Malësori” nga Gjonaj. Në vendin e tretë u rendit Ansambli “Bajram Curri” nga Prishtina.
Çmimi special iu nda grupit nga Bresana e Opojës, ndërsa për koreografinë më të mirë u vlerësua Ansambli “Amantia” nga Vlora. Çmimi për këngëtaren e muzikës popullore i takoi Floarsa Berishës nga “Gryka e Kaçanikut”, ndërsa në muzikën folklorike u vlerësua mjeshtri i madh Nazif Çela nga Vlora.
Për kostumet më autentike u shpërblye Ansambli “Malësori” nga Gjonaj, ndërsa çmimi për vallëzim të veçantë shkoi për Ansamblin “Deçani”. Valltari më autentik u shpall Muhamet Sinani nga Bresana.
Në kategorinë e orkestrave, si më e kompletuara në muzikën folklorike u vlerësua “Kastriotët” nga Ferizaj, ndërsa në muzikën popullore “Gryka e Kaçanikut”. Ndërkohë, çmimi për ruajtjen e riteve të traditës “Jahi Hasani” iu nda grupit nga Çegrani.
Me këtë festival u mbyll edhe manifestimi tradicional “Flakadani i Karadakut 2026”, duke lënë pas një tjetër edicion të suksesshëm që dëshmoi pasurinë dhe gjallërinë e kulturës shqiptare.


