KULTURA

“Film Flaka” solli sonte për artdashësve gjilanas filmat e metrazhit të shkurtër, “Një Muaj”  dhe “Pa Vend”

Gjilan, 18 janar / Manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, ka vazhduar tutje rrugëtimin e saj edhe sonte, kësaj here me pjesën e saj “Film Flaka “, ku në Teatrin e Qytetit të Gjilanit u shfaqen dy filma të metrazhit të shkurtër: “Një Muaj”  (2017), projekt filmik i regjisorit Zgjim Terziqi  dhe “Pa Vend” (2021) me regji të Samir Karahodës.
Në fakt, “Film Flaka”, është pjesë e kalendarit të “Flakës…”, të  këtij viti, pasi paraprakisht drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport (DKRS), Kushtrim Zeqiri dhe drejtoresha e Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), Blerta Zeqiri, kishin zyrtarizuar memorandumin e bashkëpunimit, për rrjedhojë, për artdashësitë gjilanas, për tri ditë radhazi, do të shfaqen gjashtë filma të metrazhit të shkurtë.
Kur jemi te filmat e natës së sotme, që u mundësua nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ja pak fjalë:
Një Muaj (2017) – Zgjim Terziqi
Bazuar në ngjarje të vërtetë, filmi “Një muaj” me regji të Zgjim Terziqit, sjell jetën e Anës, një 40 vjeçare e verbër, e pa martuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përfshin përkujdesjen e saj, secila me rend nga një muaj…
Pa Vend (2021) – Samir Karahoda
“Në Kosovën e pasluftës, të shtyrë nga ambicia e mbajtjes gjallë të sportit të tyre të dashur (ping-pongut), dy lojtarë vendës bredhin nga një vend i panjohur në tjetrin duke bartur me vete asetin e vetëm të klubit: tavolinat e tyre…”
Përndryshe, sipas agjendës së paraparë,  “Film Flaka”. do të vazhdojë tutje të premten dhe të shtunën, po me fillim prej orës 19:00, me filmat e tjerë të paraparë: Daullet e Rezistencës (2016), Besa Luci,  Kanarinat e Dinë (2014), Kaltrina Krasniqi, Tisa (2017), Valter Lucaj dhe Rojtari i Bjeshkëve (2010), Antoneta Kastrati.

You Might Also Like