Pensionohet drejtori i Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës” në Viti, Mujë Tafa
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i shoqëruar nga Drejtoresha e Arsimit, Arta Ajeti dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë pritur sot në një takim falënderues drejtorin e deritanishëm të Gjimnazit “Kuvendi i Lezhës”, Mujë Tafa, me rastin e pensionimit të tij.

Gjatë këtij takimi, Kryetari Haliti vlerësoi lart figurën e z. Tafa, duke e cilësuar atë si një shembull të përkushtimit dhe profesionalizmit në fushën e arsimit. Ai theksoi se udhëheqja e një prej institucioneve më prestigjioze arsimore në Viti kërkon integritet dhe vizion, veti këto që z. Tafa i ka dëshmuar përgjatë gjithë karrierës së tij.
“Sot po nderojmë një personalitet që jetën e tij profesionale ia kushtoi edukimit të brezave të rinj. Kontributi i z. Mujë Tafa nuk kufizohet vetëm brenda mureve të shkollës; ai dhe familja e tij kanë dhënë një kontribut të çmuar për vendin tonë në periudha të ndryshme,” u shpreh ndër tjerash kryetari Haliti.
Në shenjë falënderimi për punën dhe angazhimin e palodhshëm në ngritjen e cilësisë së arsimit vitias, kryetari Haliti i ndau z. Tafa një mirënjohje.
Nga ana e tij, drejtori Tafa ka falënderuar institucionet komunale, kolegët dhe stafin e gjimnazit për bashkëpunimin ndër vite.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe familjarë, kolegë dhe mysafirë të shumtë, të cilët vlerësuan lartë rrugëtimin profesional të z. Tafa.
Aziz Zuka





