Pensionohet Dr. Jashar Ramadani
Sot, në prezencë të profesionistëve të Shëndetësisë së nivelit primar dhe sekondar, Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, menaxhmentit të QKMF-së, dhe Familjes Ramadani, është pensionuar Dr. Jashar Ramadani.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes në Zhegër, gjimnazin drejtimi “Matematikor“ në Gjilan.
Mbaroi fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin e Beogradit, më pas në po të njëjtin Universitet, vijoi specializimin në Pediatri dhe magjistraturën, për të vazhduar pas luftës të punojë në repartin e Neonatologjisë në Spitalin Regjional të Gjilanit.
Specializimin e Mjekësisë Familjare e mbaroi në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë një karriere të gjatë dhe me peshë të veçantë institucionale, Dr. Jashar Ramadani ka ushtruar funksione të larta drejtuese dhe profesionale në sektorin publik dhe atë shëndetësor, duke mbajtur ndër të tjera detyrën e Drejtorit të Drejtoratit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, për dy mandate, ku me donacione të huaja, arriti të ndërtojë 16-të objekte shëndetësore kryesisht QMF, duke udhëhequr Shërbimin e Vaksinimit, Anëtar i Akademisë Amerikane të Mjekëve Familjarë, Menaxher i Trajnimeve për Shëndetësi në kuadër të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Trajner dhe Vlerësues në procese të vlerësimit të provimit specialistik të Mjekësisë Familjare në kuadër të QZHMFK dhe British Medical Royal College, si dhe Shef i Kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes për dy mandate, në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kontributi i tij nuk është kufizuar vetëm në kohë paqeje, gjatë periudhave më të vështira për vendin, ai ka dhënë një angazhim të çmuar edhe në rrethana lufte, duke vënë dijen, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij në shërbim të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve.
Gjatë viteve të tij të punës, Dr. Ramadani ka qenë shembull i profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimit. Me një etikë të lartë pune dhe një ndjenjë të fortë përgjegjësie, ai ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe në ndërtimin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve tona. Një mentor dhe udhërrëfyes për shumë profesionistë të rinj, duke ndarë përvojën dhe dijen me përkushtim e fisnikëri. Trashëgimia e tij profesionale dhe njerëzore do të mbetet një standard i lartë për brezat që vijnë.
“Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan si dhe i gjithë komuniteti i Shëndetësisë së Komunës së Gjilanit, i shpreh mirënjohjen dhe respektin më të thellë për kontributin e çmuar të Dr. Jashar Ramadanit.
I urojmë shëndet të plotë, qetësi dhe shumë momente të bukura në këtë fazë të re të jetës”, thuhet në njoftim.





