Futboll

Agnesa Krasniqi, mesfushore me plotë imagjinatë

Ajo është shtatëmbëdhjetëvjeçare, lojtare e re, tejet eksplozive në fushë, e shpejtë, e saktë, e përpiktë në kryerjen e çdo detyre që ia parashtron trajneri dhe thotë se është edhe e lumtur, që ajo luan në Klubin e Futbollit të Femrave Intelektualet nga Gjilani.

Agnesa Krasniqi, qysh e re e kishte dashur lojën e futbollit, gjithmonë kishte ëndërruar të bëhet pjesë e ndonjë klubi dhe dëshira e saj iu plotësua. Tashti, kur për futbollin kosovar u hapën dyert e Evropës edhe të Botës edhe për Agnesa Krasniqin dhe shoqet e saja u hapën mundësi e perspektiva të reja edhe ato janë nën vëzhgimin e trajnerëve, të cilët tashmë u bindën se në këto anë ka talente të mëdha të futbollit.

Tashti, ajo luan në rolin e mesufushores, duke bartur numrin tetë në fanellë dhe dëshiron të arrijë majat e suksesit në futboll, pse jo të bëhet edhe anëtare e ndonjë ekipi me emër në Evropë, ashtu siç kishin vepruar bashkëlojtaret e saja, Antigon Behluli, Blerta Shala dhe Kaltrina Biqkaj.

Agnesa Krasniqi, që është një lojtare shumë e shpejt, shpesh kyçet edhe në fazën e sulmit dhe përpos që asiston për bashkëlojtaret e saja, ajo shpesh edhe shënon.

“Më shumë se gjithçka në jetë dua që të arrijë në lojën e futbollit, andaj mëtoj të punoj pa u ndalë, me përkushtim e vullnet vetëm e vetëm që të jem sa më e përgatitur për sfidat që më presin mua dhe ekipin tim”, thotë futbollistja Agnesa Krasniqi.

Edhe kryetrajneri i saj, Afrim Mehmeti, thotë se lojtarja Agnesa Krasniqi, ka talent për të qenë një futbolliste me emër dhe atë e përshkruan si një vajzë tejet punëtore e të disiplinuar, andaj edhe vlerëson se është një futbolliste me perspektivë të ndritur.

Agnesa Krasniqi është një emër për të cilin do të flitet në të ardhmen në futbollin kosovar dhe atë evropianë, ajo tashmë është nisur në këtë rrugë.

You Might Also Like