Shkruan: Arbëreshë Kryeziu Hyseni, kandidate për asamble komunale nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!
Erdhi në Uglar dhe pa fije turpi, u premtoi banorëve investim prej 30 milionë euro në projektin për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza. E ata pleq të shtyrë në moshë që ishin ulur në radhët e para të karrigeve të vendosura në korridorin e shkollës, të mërdhirë nga të ftohtit që lëshojnë ato mure akull që nuk ngrohen asnjëherë, jam e sigurtë që kanë thënë vet me vete, “leje se boll na rrejte mo”!
Kundërmimi prej ujërave të zeza në fshatin Uglar, nuk është paraqitur këto 2-3 muajt e fundit, e as këto 2-3 vjet, por është problem që ekziston prej vitesh e vitesh. Njëjtë siç është trashë kundërmimi, është trashë edhe problemi, prandaj kot e thoni, sepse e dimë se është premtim fushate që do ta hidhni po në këtë lumë kundërmues pas 22 tetorit.
Në Livoq të Epërm kishte thënë se “i kemi futur edhe kërkesat e banorëve aty në kuadër të programit 2017+, për implementim gjatë katër viteve të ardhshme”. Por, edhe Livoqi ka kërkesa të kahmotshme, njëjtë, sikurse çdo fshat tjetër i komunës së Gjilanit, kërkesa këto që nuk u realizuan asnjëherë. Njëjtë u deklarua edhe në Llashticë, në Lladovë e Nasalë, në Miresh, Malishevë e Cernicë. Madje në Kmetoc u deklarua se arsyeja pse ka rikandiduar është që t’i ruajë projektet e mëdha për Gjilanin. Eh këtu, e dimë që nuk ka gënjyer aspak. Projektet e mëdha për Gjilanin, nënkuptojnë shuma milionëshe, e kur përmenden ato shuma është e vërtetë që i del goja lëng.
Prioritet i tij është Bresalci, top prioritet i tij është Cërnica, fokusin më të madh e ka në Zhegër, në Bresalc nuk ka “asnjë” votë për akse tjetër pos për Lutën, dhe a e dini pse? Se Luta është “i juaji”, Luta është “i popullit”, Luta është “i Gjilanit”.
Aman, nuk jemi aq injorant, sa ky Luta po mendon. Mbi të gjitha jemi qytetarë të shtypur, të përvuajtur, që na keni gërryer, e na keni marrë çdo shpresë që dikur kemi pasur për këtë vend.
Jeni ju, ai i cili pos që na gënjeu, e po vazhdon të na gënjejë akoma, na e rrudhët territorin e qytetit tonë, nëpërmjet procesit të decentralizimit. Na e shkelët të drejtën për liri, drejtësi dhe mirëqenie, duke na bërë eksperiment të dështimit, që si gjithmonë na kushtojnë neve qytetarëve. Një territor prej 515.000 kilometra katrorë që e kishim dikur, nuk e kemi më. Gjilani sot është një territor me sipërfaqe prej 390.00 kilometra katrorë, falë decentralizimit që pikërisht ju e sollët.
E ne kërkojmë ndryshim, kërkojmë zhvillim, kërkojmë kushte, kërkojmë investime?!
Qytetarë të nderuar, e keni vetëm një alternativë, vetëm një zgjidhje, e ajo është LEVIZJA VETËVENDOSJE! dhe kandidati për kryetar Sami Kurteshi. Keni një subjekt që asnjëherë nuk gënjeu dhe asnjëherë nuk e shkeli fjalën e dhënë. Keni një kandidat që asnjëherë nuk u korruptua, asnjëherë nuk manipuloi me ligjin, por përkundrazi, punoi dhe u mundua shumë, që ai të respektohet me përpikëri. Para së gjithash, keni një kandidat, që rininë e tij e kaloi në burgjet e Serbisë, sepse mbrojti idealet tona. E kush më mirë dhe më shumë se ky kandidat do ta meritonte një fitore kaq të madhe. Një fitore të sigurtë dhe të fuqishme që do të vijë më 22 tetor.
Prandaj, bëhu edhe ti pjesë e fitores së madhe të Gjilanit, dhe jo vetëm. Sepse fitorja e madhe e Lëvizjes Vetëvendosje po vjenë, kryetari i madh i Gjilanit Sami Kurteshi po vjenë.
Sepse ne e duam Gjilanin me zemër dhe punojmë për të me mendje, e nuk lejojmë që mendja jonë të lakmojë dhe të ngatërrohet e të mos ketë mëshirë, sa herë që bëhet diçka për të shkatërruar çdo arterie të rëndësishme të këtij qyteti të lodhur në shpirt.