OPINION

NJËVJETORI I THEMELIMIT TË MUZEUT TË GJILANIT

Shkruan: Arton Hoxha

Jemi në vigjilje të Festave të nëntorit, të cilat kulmojnë me Ditën e Flamurit. Por, këtë vit, në Gjilan, do të kulmojë Festa e Flamurit  me vendosjen e Shtatores së Idriz Seferit në qendër të Gjilanit, një ngjarje ndër më të rëndësishmet  në historinë e Gjilanit, për të cilën përgëzojmë institucionet komunale në krye me kryetarin e komunës si dhe qytetarët e Komunës sonë dhe më gjerë.

Po, tash, kjo Datë më e rëndësishme në historinë e popullit tonë, shënon edhe një ngjarje që, sado duket e vogël në gjeografinë shqiptare, për Gjilanin është mjaft e rëndësishme. Themelimi i Muzeut të Gjilanit ndodhi para një viti dhe, pikërisht në datën e 28 nëntorit të vitit 2016. Një institucion ky i vonuar e i munguar kohë të gjatë por tepër i nevojshëmë për këtë qytet dhe për krahinën e Anamoravës, sepse ruan dhe shpërfaq në publik e për publikun artefakte  që nga lashtësia e deri në ditët e sotshme, të cilat u ruajtën falë dheut të kësaj toke dhe, falë juve që treguat kujdes e dashuri ndaj shumicës së eksponateve që sot vizitohen përditë në këtë muze, me një kurreshtje të madhe e me nostalgji.

Natyrisht, themelimi i këtij institucioni, pandashmërisht lidhet me emrin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore të Gjilanit dhe me vetë Komunën e Gjilanit, të cilat, me vite u angazhuan, grumbulluan, ruajtën dhe u përkujdesën për shumë e shumë eksponate të dhuruara nga ana e juaj por, edhe u përcaktuan që ky Objket që poashtu i takon trashëgimisë kulturore, të jetë Shtëpi e Muzeut të Gjilanit.

Brenda këtij viti, janë mbi 5000 vizitorë, qoftë nga brenda komunës po edhe nga e tërë Anamorava dhe, veçmas nga bashkëatdhetarët tanë gjatë pushimeve të tyre të verës apo pushimeve vjetore, që e kanë kërkuar, gjetur dhe vizituar këtë Shtëpi që ruan kujtesën tonë, pjesën tonë të trashëgimisë kulturore nga fusha e arkeologjisë, nga fusha e etnologjisë, nga fusha e arkitekturës dhe fusha e trashëgimisë shpirtërore e historike dhe, që janë ndarë të kënaqur.

Një vit jetë, një vit punë e angazhim  për këtë Muze, duket pak por, ka bërë emër, anise ende Muzeu nuk e ka stafin e vet, nuk është kompletuar sa e si duhet po, edhe nga hapësira nuk është në përmasat e kërkesave dhe mundësive tona si komunë e si qendër e Krahinës së Anamoravës.

Pra, edhe pas një viti, është Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore që përkujdeset për Muzeun dhe, jeni ju e shumë të tjerë që dhurojnë dhe afrojnë eksponate të ndryshme nga e kaluara jonë, sepse ato këtu e kanë vendin.

Shfrytëzoj rastin që t’ ju falënderoj shumë për këto dhurime e, interesime të vazhdueshme po, edhe t’ ju bëj ftesë gjithë të tjerëve që, krejt çka i takon Muzeut, ta sjellin në Muze. Madje, edhe ato institucione të kësaj natyre, tek të cilat ende gjenden shumë artefakte të dhuruara më herët e, që do duhej tashmë të kthehen këtu.

Natyrisht, falënderoj edhe Komunën e Gjilanit e MKRS-në për kontribut e angazhim në themelimin dhe mirëmbajtjen e këtij Muzeu, me pritshmërinë tonë që, ta bëjmë ate që duhet dhe që është e mundur për një funksionalizim edhe më të mirë të kësaj Shtëpie.

Ju faleminderit edhe njëherë e, gëzuar Festa e Flamurit, gëzuar Shtatorja e Idriz Seferit dhe e figurave tjera të historisë sonë më të re qëpo vendosene e po nderohen nga gjilanasit.

 

Gjilan, 24 nëntor 2017

You Might Also Like