OPINION

Ç’FAJ MBANË EUROPA KUR NE PENGOJMË NJËRI-TJETRIN NË POLITIKËN E SHTETFORMIMIT?!

gani Shkruan: Gani Neziri

Nuk është më çështje dyshimi, gati se të gjithë e dimë se, Shteti i Kosovës vidhet nga vet kosovarët! Ç’faj mban Europa këtu?! Më falni, vidhet edhe nga të instaluarit e Europës këtu në Kosovë por, aq u bënë, se nuk është vendi i tyre!

Asfaltimet e rrugëve gjithandej Kosovës, prishen aq shpejt sa, ende pa përfunduar metrat e fundit, fillojnë të prishen metrat e para të fillimit të rrugës! Ç’faj mban Europa këtu?!

As një punë të rëndësishme nuk mund t’a kryesh (fitim donacioni, vendosje në Konvikt, punësim, bursim, madje dhe as birësim) në akcilën ministri të Kosovës, nëse nuk ke ndonjë të njofshëm diku atypari?! Ç’faj mban Europa këtu?!

Ndërtohet objekti për Gjykatën Qëndrore me disa miliona euro, e përgatitur me plan arkitektonik-ndërtimor, me komision mbikqyrës për përcjelljen e punimeve, me komision “profesional” për pranimin teknik, i cili jep lejen e përdorimit, dhe që në shiun e parë objekti bëhet i papërdorshëm! Ç’faj mban Europa këtu?!

Në Vushtrri ndërtohet një spital me vlerë kapitale prej disa miliona euro. Kishte planin e ndërtimit-arkitekturën, komisionin mbikqyrës të ndërtimit, komisionin “profesional” për pranim teknik, i cili konstaton se çdo gjë është në rregull dhe jep lejën e përdorimit. E dini ju, lexues të respektuar, se ende pa filluar shërbimi mjekësor, bie tavani mbi dysheme?! Ç’faj mban Europa këtu?!

Pas kësaj faqeje të zezë, u mor vendimi për mënjanimin e gabimeve teknike në spital, me ç’rast hargjohen edhe shumë para shtesë. Formohet komision i ri për përcjelljen e punimeve, formohet Komision i ri “profesional” për pranimin teknik dhe sërish jepet pëlqimi i përdorimit. O Zot! Posa vendosen pacientët e parë, mbi shtretër përsëri bie tavani, ç’është më keq, kësaj radhe edhe rrezikon pacientët. Ç’faj mban Europa edhe këtu?!

Në shenjë mospajtimi (me plot të drejtë), me punën e qeveritarëve të Kosovës, digjet objekti i Qeverisë së Kosovës, nga vet ‘’qytetarët’’ e sajë, (absolutisht, veprim i padrejtë). Ç’faj mban Europa këtu?!

Prokuroria e shtetit, e betuar para Presidentit të shtetit dhe qytetarëve të saj se, do të ndjek keqpërdoruesit e shtetit dhe të pushtetit, kjo, jo vetëm që nuk e bënë mjaftueshëm këtë punë por, fatkeqësisht e bishtnon ndjekjen pikërisht kur janë në pyetje bosët (…)! Ç’faj mban Europa këtu?!

Në Kuvendin e Kosovës, sallë kuvendimi burrash e grashë kosove të zgjedhur, për “më të mirët”, çdo propozim që vjen në Kuvend nga deputetë të PDK-së, apriori hudhet nga deputetët e VV-së, duke e radhitur si tradhti të radhës, dhe anasjelltas- çdo propozim që vjen nga

deputetë të VV-së, injorohet nga deputet të PDK-së dhe LDK-së, duke e trajtuar si propozim provokues! Ç’faj mban Europa këtu?!

Ç’faj mban Europa, ju lutem, për politikën e LDK-së që karakterizohet me kalkulimet e ‘’butësisë’’ më ekstreme, duke i rën në gjunjë kujtdo qoftë me synimin e skajshëm që me çdo kusht të jet pjesë e majës së pushtetit, sido që të jet ai pushtet në këtë shtet, ‘’punë e madhe’’.

Ç’faj mban Europa, ju lutem, kur dy nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, “axhami”, si thot populli, nën prezencën e ambasadorëve të huaj të akredituar në Kosovë, i fyejnë në mënyrë të paskrupullt dy nga deputetët që vijnë nga radhët e PDK-së. Njëri si “patriot i stilit modern, i guximshëm’’ thot se nuk guxon të pijë kafe me deputetin e PDK-së, ish ushtarin e UÇK-së, sepse, ka frikë nga ai (mos vallë po ia merr njërën veshkë?!).

Pastaj, tjetri deputet krejt pa pritur, ofendon Kryeparlamentarin, ish udhëheqës lufte, duke e quajtur kriminel! Në fakt, pa ditur asgjë prej gjëje, as njëri dhe as tjetri, veç asaj se çka kishte thënë Dik Marti, i paguar nga regjimi serb, duke patur për qëllim poshtërimin, deri në palcë, të luftës çlirimtare të UÇK-së dhe ish komandantët e saj. E po, ç’faj mban Europa këtu?!

Patriotizmi i budallakut i këtij lloji, përligjë aludimin “Dik Marti”-an dhe serbian mbi grabitjen e organeve njerëzore gjat luftës nga djemtë e këtij populli, ushtarët e të shenjtës UÇK. Krejt kjo, duke mos u shkuar mendja fakirëve politik se njëkohësisht po njollosin gjithë luftën e UÇK-së, respektivisht, gurëthemelin shtetformues të Kosovës. Ç’faj mban Europa këtu?!

Tani, kush ka tru e kush ka sy, e ka të qartë se, nuk është veçse Dik Marti, i paguar nga Serbia, ai që ndjek ushtarët e UÇK-së, por, këtë argati të dreqit po e bëjnë edhe disa nga të zgjedhurit e popullit në Kosovë, me apo pa dijeninë e tyre (he mos u zgjedhëshin kurr më, o Zot!).

Dhe krejt në fund, do t’a quaj goditje ‘’nokdauni’’ e interesit kombëtar, mosvotimin e propozimit për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nga legjislacioni i mandatit të kaluar, I cili nuk u votua nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Pra, dështoi! Ç’faj mban Europa këtu?!

Prandaj, ç’faj mban Europa, për të gjitha këto…?!

You Might Also Like