Derbi i zjarrtë ndërmjet Dritës dhe Gjilanit, i zhvilluar në stadiumin e stërmbushur nuk ka sjellë fitues, ngase ka përfunduar me rezultat të barabartë. Të dy tifozëritë janë ndarë të kënaqura, kurse kryetrajnerët e të dy ekipeve kanë vajtuar rastet e huqura, duke mëtuar se fitorja u iku nga duart.
Se rezultati nuk është zhbllokuar në pjesën e parë, më meritorët janë portierët, Halimi i Dritës dhe Kaqiu i Gjilanit, të cilët kanë patur intervenime të shkëlqyeshme. Halimi ka shpëtuar gol të sigurt, kur intervenoi shkëlqyeshëm para Eminhazirit, derisa edhe portieri i Gjilanit Kaqiu, ka nxjerrë një top që po shkonte drejt këndit të portës.
Drita që në këtë kampionat rëndom po luan më mirë në pjesën e dytë edhe në këtë ndeshje u tregua më e rrezikshme dhe kur kishte një rast të mirë shënimi nga një gjuajtje dënimi, Leci në vend që të gjuante në portë, deshi të bëjë një variantë me bashkëlojtarët e tij, gjë e cila i dështoi dhe Gjilani organizoi një kundërsulm të shpejtë dhe ia doli që nëpërmjet Betim Haxhimusës të vije në epërsi me rezultat 0:1. Krejt kjo ndodhi në minutën 70.
Pas ka shënuar, Gjilani u tërhoq e Drita nisi të sulmoj dhe sërish erdhi në një pozitë të mirë shënimi nga një gjuajtje dënimi. Tash përgjegjësinë e mori Xhevdet Shabani, i cili dhe një gjuajtje mjeshtërore dhe barazoi rezultatin. Deri në fund Drita pati disa raste të mira shënimi, bile qëlloi edhe shtyllën, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Edhe në këtë kryendeshje ishin tifozëritë ato që krijuan atmosferë të zjarrtë.