Gjilanasja Rrezarta Korbaj emërohet Kryesuese e Këshillit Kosovar për Raportim Financiar
Ekspertja e financave nga Gjilani, Rrezarta Korbaj, është emëruar në pozitën e Kryesueses së Këshillit Kosovar për Raportim Financiar. Ky vendim vjen si vlerësim i përvojës së saj 16-vjeçare në fushën e financave, kontabilitetit, raportimit dhe mbikëqyrjes financiare, duke i besuar drejtimin e njërit prej institucioneve kyçe në rregullimin financiar të vendit.
Ky emërim pason një proces të rregullt institucional të zhvilluar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, i cili në fund u miratua nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Me marrjen e kësaj detyre, Korbaj ka shprehur mirënjohje të thellë për institucionet që e mbështetën në këtë proces. Ajo ka falënderuar Guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, për përfshirjen e saj në listën e kandidatëve të propozuar nga ky institucion. Gjithashtu, Korbaj i ka shprehur falënderime Ministrit të Financave, Hekuran Murati, për përzgjedhjen e saj nga kjo listë dhe vendimin për ta propozuar si kryesuese, si dhe Qeverisë së Kosovës për miratimin përfundimtar dhe besimin e dhënë për këtë detyrë të re.
Kryesuesja e sapoemëruar e Këshillit Kosovar për Raportim Financiar ka theksuar se fokusi i saj do të jetë në rritjen e standardeve profesionale. “Mbetem shumë e përkushtuar për forcimin e transparencës, cilësisë së raportimit financiar, avancimin e profesionit dhe mbrojtjen e interesit publik,” ka deklaruar Korbaj.
Përveç kryesueses së re, në këtë proces janë emëruar edhe anëtarët e tjerë të Këshillit Kosovar për Raportim Financiar. Pjesë e këtij trupi të rëndësishëm do të jenë edhe Kimete Zekaj, Vlora Prenaj, Samir Lleshi, Fadil Sallteku, Kosovare Domi-Rama dhe Altin Sahiti.





