Në kuadër të shënimit të 14 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Vitisë, sot në Viti u mbajt seanca solemne e Kuvendit Komunal, kushtuar kësaj date të rëndësishme historike për qytetarët e komunës.
Gjatë kësaj seancë nga një fjalë rasti mbajtën kryesuesi i kuvendit komunal të Vitisë, Bekim Azizi, zv.kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu dhe Demir Hasani nga shoqata e dala nga lufta e UÇK-së.
Pas seancës solemne, u bënë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Viti, ku përfaqësues institucionalë, veteranë, familjarë të dëshmorëv, përfaqësues të policisë, subjekteve politike dhe të tjerë nderuan sakrificën e të rënëve për lirinë e vendit.
Aktivitetet për shënimin e kësaj dite po vazhdojnë gjatë gjithë ditës së sotme nën organizimin e Komunës së Vitisë, përkatësisht Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Në orën 11:00, në sheshin e qytetit pritet të mbahet Festivali Ndërkombëtar i Fëmijëve “Hana”, ndërsa nga ora 14:00 janë paraparë aktivitete sportive në Sallën e Sporteve dhe në Shkollën Teknike.
Manifestimet për Ditën e Çlirimit do të përmbyllen sonte me koncertin festiv, i cili do të mbahet në sheshin e qytetit, duke filluar nga ora 20:00.
Ndërkohë, aktivitetet për shënimin e kësaj date nisën më 13 qershor, me zbulimin e shtatores së dëshmorit të kombit Kenan Halimi në Gjylekar dhe me finalen e turnirit tradicional “Kenan Halimi”.
Dita e Çlirimit të Vitisë përkujton hyrjen e forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në qytet dhe mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e komunës, duke simbolizuar lirinë, sakrificën dhe kujtesën për të gjithë ata që kontribuuan për çlirimin e vendit. Aziz Zuka




