Libri

DHEMBJEN LERMA MUA

Bleona ARIFI
DHEMBJEN LERMA MUA
( Nga libri në dorëshkrim )
AMSHUESHMËRISË SË FJALËVE
Shkruaj
për t’i shqiptuar ndjenjat e mia
në qiellin e unit tim,
për ta sjellur një hënë të re
dhe pak aromë gjallërie
amshueshmërisë së fjalëve
Thjeshtë shkruaj
për t’iu treguar se kjo që e shihni
nuk jam
por ajo tjetra që po e kërkoj
LËNDINË IMAGJINUESE
Për aq sa orvatesha në mendjen tënde
harroja të mendoja për vete
derisa shikoja sytë e tu
harroja një botë të tërë me ngjyra
derisa ndjeja aromën tënde
të marr dhe frymë harroja
Më në fund
hoqa qafësh pikëpyetjen në mendje
për të thënë: të dua
kujtova se po imagjinoja
të të kem afër…
…kur ti nuk ishe me mua
HESHTJA U BË BRITMA JONË
Unë ngreh në vete
të pathënat e botës
e ti vetëm heshtë
Provo
t’i zbusësh fjalët
Ta dish
ka për t’i kapërdirë
një e vërtetë lubi
që me dhëmbë s’mbahet
Dhembjen lerma mua
e shko
pa kthyer kokën mbrapa
Nuk do të flas më as unë
sepse
heshtja u bë britma jonë
MALL
Nuk e di
nëse unë jam e vetmja
që ndjej këtë mall për ty?
Po pate dy si unë
e para jam unë
dhe
e dyta jam unë
TË DUA SA DHEMB
Të më thuash
ujë a zjarr?
Unë flej në heshtje
Të më thuash
dashni a urrejtje?
Unë flijohem pa fjalë
RUTINË
Ditë
e
natë
ateroj në ëndrra të reja
Filtrohem buzëqeshjeve
ecë në vellon e kujtimeve
pa vërejtur mbushë vitet e jetës sime
ÇAST LIRIK
Më lejo
dua të jem roja e vetme e zemrës tënde
përgjegjëse e un-it tënd
unë rrëmbyesja e dhembjes së kohërave
Ndalesa e akrepave të orës
në çast të lig bëhem
rrufeja më e bukur
që tundet tek ty
Me krejt këto
dua të më falësh
përjetimin më të ëmbël të dashurisë
TË SHKRUASH
Të ikësh nga tymi i krijuar
dhe të përfundosh
në avullin e mefshtë mbi fletë
do të thotë të shkruash
ME VALLEN E PAFJALËVE
Kthehem sonte
si e mpirë nga ndjenjat e pafjalët
tek ti
që më bën të jem autorja e yjeve
Syri im feston
zemra qan e buzëqeshë
po sonte
me vallën e pafjalëve
TI ERDHE
Befas,
sikur shiu imtak i vjeshtës
në pikëllim
çave murin e paradoksave të zërit
e hyre si puhi mikluese
Kush je?
Piktor ferri?
Zotërues vetëtime?
Unë nuk mbaj mend
se të ftova…
Ti
timonier dashurie
që lëshuar i ke spirancat
mbi qindra drynash të un-it tim
DJALL I BEKUAR
Dita më ngryset
ngarkuar në mendime
Mungesë e ytja
mbarsë një oqean me kujtime
Një
dy
tre…
Persëri ti
Djall i bekuar në mendjen time
UN’I
Shtegtoj në vetvete
perëndohem nga durimi
i përkulem frikës
vdes nga guximi
Mike bëj heshtjen
shoqërohem me vetminë
jetoj të vërtetën
ëndërroj fantazinë
Ngrihem nga realiteti
si s’ndjejë gjë dot
S’lë fajin askund
e tillë jam njeri
jetoj si dua vetë
jo si do ti ti ti…
AGIMET E VERËS
Trazira malli lundrojnë në oqeanin e mendjes
Ëndërr kam të të shohë në agimet e verës
Dielli s’pushon së ngrohuri faqet e tokës
Unë të pres në bregun e pëlhurtë të dashurisë
Atje ku e gjetëm zanafillën e jetës…
____________________
Shënime për autoren
Bleona Arifi u lind me 13 korrik 2000, në Gjilan. Shkollën fillore e kreu në “Thimi Mitko”, ndërsa atë të mesme në gjimnazin “Zenel Hajdini”. Aktualisht është studente e vitit të katërt në Universitetin e Prishtinës, ”Hasan Prishtina”, përkatësisht në Falultetin e Filologjisë, dega Letërsi shqipe.
Me shkrime ka filluar të merret që herët, gjithnjë duke treguar interesimin, dashurinë ndaj poezisë e letërsisë.
Përkushtimi i saj krijues nis të shpalohet në publik dhe para lexuesit me botimin e librit të parë të saj me poezi, “ Dhembjen lërma mua” .

You Might Also Like