Futboll

Dhjetë vite rrite e zhvillimi të futbollit femëror në Gjilan

Dhjetë vite më parë në Gjilan ishte formuar për herë të parë një klub futbolli i femrave e i cili këtë të shtunë ka festuar dhjetëvjetorin e themelimit, shkruan kryelajmi.com

Në këtë përvjetor është zhvilluar një ndeshje miqësore, ndërmjet lojtareve të gjeneratës së parë të këtij klubi dhe klubit Kosova nga Prishtina ndeshje kjo që ka përfunduar me rezultat të barabartë 2:2.

Në këtë ngjarje është shpalosur një historik i shkurtër i këtij ekipi, që nga themelimi, kur ishte arritur që të grumbullohen rreth pesëdhjetë vajza nga tërë Anamorava dhe nën drejtimin e Afrim Mehmetit, profesor i Kulturës Fizike dhe Sportit kishin nisur garimin ndonëse me vështirësi të shumta.

Më pas u arrit që të bëhet një formacion i shkëlqyeshëm e më pas u arritën suksese, tituj dhe pati lojtare që ishin pjesë e Reprezentacionit të Kosovës dhe të Shqipërisë. Shkaku i problemeve financiare, klubi humbi shumë nga lojtaret, të cilat edhe tash luajnë në ekipe të ndryshme.

Afrim Mehmeti, kryetar i KFF Intelektualet, pasi ka përshëndetur të pranishmit, ka theksuar se shumë personalitete kanë ndihmuar klubin e futbollit të femrave, duke mos harruar edhe themelueset e Kosovës së Prishtinës që ishin nismëtare.

Vjollca Krasniqi, nga Federata e Futbollit të Kosovës, ka thënë se shumë vajza ndihmuan në zhvillimin e futbollit ndër breza. Ajo tha se Afrim Mehmeti ishte nismëtar i themelimit të futbollit femëror në Gjilan e FFK do të përkrah futbollin e femrave, duke thënë se tashti kushtet janë më të mirë, tash luajnë ndeshje ndërkombëtare. Ajo kërkoi që të punohet edhe më shumë në këtë aspekt. Ajo ka uruar për ditë më të mira për KFF Intelektualet.

Valon Zymberi, drejtor në KF Drita, ka uruar për themelimin dhe ka shtuar se ditë më të mira po vijnë për futbollin femëror ngase edhe Federata Evropiane dhe ajo botërore e kanë kthyer fokusin kah futbolli femëror. “Nga dita në ditë këto vajza po e dëshmojnë vetën e duhet t’i mbështesim në punën e tyre”, ka thënë Zymberi.

Më pas janë ndarë pllakate e mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në rritën dhe zhvillimin e futbollit femëror në Gjilan./kryelajmi.com/.

 

You Might Also Like