Futboll

Dramë në kryeqytet, Drita në fund shtang Prishtinën

Prishtina dhe Drita janë përballur në ndeshjen derbi, të luajtur nën dritën e reflektorëve në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Për Dritën gjërat rrodhen shumë keq në pjesën e parë, ngase pas luajtjes me dorë të qendërmbrojtësit Mesa, gjyqtari Bajgora dha penalti. Përgjegjësinë për të gjuajtur nga pika e bardhë e mori Leotrim Kryeziu, por gjuajtjen e tij në këndin e majtë të poshtëm e hetoi portieri Maloku që e shpëtoi golin.

I njëjti lojtar, në minutën 25 ia doli të shënojë nga afërsia, pas një intervenimi jo të mirë të mbrojtjes së Dritës. Në minutën 35, Halili ka shënuar një supergol nga largësia, duke qëlluar këndin e epërm të djathtë të Malokut për rezultatin 2:0.

U duk se Drita veç se ishte e mposhtur, por në pjesëlojën e dytë. Kryetrajneri Zekirija Ramadani vendosi për tre ndërrime, duke bërë lojë më ofensive dhe në minutën 61, pas një tollovie të krijuar në brendi të zonës së Prishtinës, gjyqtari dha penalti. Besnik Krasniqi, si gjithnjë ishte i saktë, megjithëse portieri i Prishtinës Nika u hodh në anën e duhur.

Kur Drita po sulmonte me ngulm dhe po krijonte raste të shumta, pas një gabimi fatal të Dabiqajt në mesin e fushës, Islami u sul drejt portës së Dritës dhe gjuajti nga largësia, duke qëlluar këndin e djathtë të portës së Malokut, duke e sjell në epërsi Prishtinën me rezultat 3:1. Krejt kjo ndodhi në minutën 78 dhe sapo Drita u nis nga mesi i fushës erdhi goli i Dritës pas një tollovie, të cilin e shënoi Dabiqaj, që sikur u shpagua për gabimin e mëhershëm.

Deri në fund të ndeshjes Drita u mundua që së paku të barazojë rezultatin dhe këtë e arriti në minutën e fundit të shtesës, kur pas një harkimi të Shejit nga e majta, mbrojtja e Prishtinës e dëboi topin, në të cilin ndërhyri Ron Broja, i cili me gjuajtje të fortë dërgoi topin në rrjetë për 3:3, që ishte rezultati final i kësaj ndeshje. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like