Futboll

Drita e pandalshme, fiton për t’iu afruar titullit

Drita ka shënuar një fitore të vlefshme në udhëtimin që ka patur në Podujevë, duke e dominuar ekipin e Llapit në cdo aspekt. Të dy ekipet e nisën ndeshjen me disa mungesa. Llapi si duket me mendje ishte tek ndeshje për kupë me Prishtinën, ngase pikërisht aty e sheh mundësinë për të dalë në Evropë, derisa Drita mëton që të mos gabojë, ngase nuk guxon që të lëshojë pozitën e parë.

Shumë futbollistë ende nuk e kishin prekur topin e në ndeshjen Llapi – Drita u shënuan dy gola. Fillimisht në minutën e dytë pas një mosmarrëveshje të Onokos dhe Limanit, portieri Maloku ka shkëlqyer në gjuajtjen e Ahmed Jonuzit, por në intervenimin e dytë ka gabuar rëndë, ngase një top që do të duhej kapur me dorë, Jonuzi e ka qëlluar me kokë për rezultatin 1:0. Menjëherë në aksionin vijues Drita ia ka dalë të barazojë, kur Llapi vendosi një pozitë jashtë loje, por sulmuesit e Dritës u përvodhën dhe Xh. Shabani kur u gjet i vetmuar para portierit Nava, me urti e dërgoi topin në këndin e poshtëm të majtë të tij, për të barazuar rezultatin në 1:1.

Në minutën 30, Drita ia ka dalë të dalë në epërsi pas golit që ka shënuar Festim Alidema, që me një gjuajtje nga 16 metra shfrytëzoi pozicionimin jo të mirë të portierit Nava dhe me një gjuajtje përtokë arriti të shënojë.

Nuk ka kaluar as një minutë lojë, kur Drita tentoi të zë në pozitë jashtë loje Jonuzin, i cili shpërtheu me hapa të shpejtë dhe në anën e kundërt e gjeti sulmuesin Edon Sadriun që nuk e pati të vështirë të barazojë në 2:2.

Në minutën 53, Shabani asistoi për Ahmetin, por ky nga një pozitë shumë e mirë gjuajti jashtë pingulës së djathtë të portierit Nava. Në minutën 63, pas harkimit të Blakqorit, Fazliu me kokë për pak gjuajti jashtë portës.

Drita ka shënuar golin e tretë në minutën 70, kur Fazliu ka shërbyer Xh. Shabanin e ky me një gjuajtje të saktë mbi trupin e portierit italian Nava ka shënuar për 2:3. Drita pati rast të zgjidh dilemën e fituesit një minutë më vonë, por në dy raste Nava priti gjuajtjen e Fazliut.

Llapin e kishte lëshuar forca e pas një pasimi të shkëlqyeshëm të kapitenit Limani, Prisley e shtyri topin me kokë dhe kaloi edhe portierin dhe shënoi gol në portën e zbraztë për 2:4.

Llapi u mundua që të së paku të ngushtojë rezultatin, por tashmë Drita po kontrollonte lojën.

You Might Also Like