Futbollistët e Dritës i kanë dhënë një leksion futbolli ekipit të Llapit, kurse me lojë në fushë e kanë lënë pa fjalë Tahir Batatinën, që shpesh ka ditur të thumbojë ekipet kundërshtare.
Rezultati opërfundimtar ishte 0:4 për Dritën, ekip që mbetet edhe më tej në kreun e tabelës, me shpresën se aty do të qëndrojë deri në fund.
Gjithçka ka folur në të mirë të ekipit gjilanas që ka zhbllokuar rezultatin shumë herët. Në minutën 8, Xhevdet Shabani ka dhënë një gjuajtje dënimi nga e majta, kurse topin me maje të këpucës e ka qëlluar Pefqeli dhe e ka futur në rrjetë të vet.
Llapi nisi të sulmojë më me ngulm pas golit të shënuar dhe këtë diti t’a shfrytëzojë Drita, kur pas një sulmi të organizuar mirë në minutën 14, Fazliu e gjen mirë Kastriot Rexhën që me të parën qëlloi dhe nën duart e portierit të Llapit e futi topin në rrjetë për 0:2.
Në pjesëlojën e dytë Drita e ka kontrolluar shumë mirë lojën dhe ka pritur rastin për të shënuar sërish. Një gjë të tillë e bëri në minutën 83, kur me një gjuajtje nga largësia Erijon Vucaj ka qëlluar këndin e poshtëm të majtë të portës së Llapit për 0:3.
Pas një kundërsulmi të shpejtë, Drita ka shënuar edhe në minutën 88, kur në një top të kthyer nga portieri Izair Emini ka shënuar për rezultatin përfundimtar Llapi – Drita 0:4.