Drita e ka nisur keq ndeshjen ngase shumë herët ka pësuar gol nga lideri në tabelë, Trepça ’89, e cila duke parë se i janë afruar shumë rivalët, ndeshjen e ka nisur me qëllim të vetëm që të arrijë fitore.
Mitrovicasit kanë shënuar që në minutën katërt nëpërmjet kapitenit Shpëtim Idrizit nga pika e bardhë. Më herët Gashi kishte ndërhyrë në mënyrë të palejueshme ndaj Hajdarit dhe gjyqtari pa u hamendur ka treguar në pikën e bardhë.
Deri në fund të pjesës së parë, të dy ekipet kanë pasur raste të mira shënimi, si Drita për të barazuar rezultatin, ashtu edhe Trepça ’89, për t’a ngritur atë, por rrjetat mbetën të patundura dhe pjesa e parë përfundoi me rezultat 0:1.
Në pjesën e dytë ekipi nga Mitrovica ia ka arritur të shënojë për herë të dytë nëpërmjet golashënuesit më të mirë në Kosovë Oto John.
Ka qenë kjo një fitore shumë e rëndësishme për ekipin mitrovicas, i cili tashti është shumë më afër arritjes së qëllimit, që të stoliset me titullin e kampionit, derisa Drita me këtë humbje edhe më shumë i shuan gjasat që t’i ik ndeshjes së barazhit, që do të ishte hera e tretë radhazi për ekipin gjilanas./Kryelajmi/.