Futboll

FC Drita e vendosur, do të luftojë deri në frymën e fundit për titull

Shkruan: Enver Sadiku

Me vullnetin që sërish të luftojë për titull kampioni, FC Drita kishte sjellë shumë freski në ekip në verën e këtij viti, duke angazhuar disa emra me nam në futbollin tonë,  por në të njëjtën kohë kishte nisur edhe një valë largimesh, kryesisht të lojtarëve më në moshë.

Diamantis (Akis) Vavalis, kishte bërë një përvojë, por jo edhe jetëgjatë në futbollin kosovar, mirëpo karriera e tij kishte ngritje e rënie me ekipin e Dritës, deri te dita kur u desh që të ndajë rrugët me ekipin bardh e kaltër. Drejtuesit e Dritës, pa humbur shumë kohë gjetën zëvendësimin e duhur, Zekirja Ramadanin, me të cilin nisi një frymë tjetër dhe në fund u ngjallën shpresat se mund të luftohet për titull kampioni.

Por, cilat janë të arriturat e FC Drita në stinorin vjeshtor në këtë kampionat.

Në fund të stinorit vjeshtor, FC Drita u radhit në pozitën e tretë, me dhjetë fitore, katër barazime dhe po aq humbje, duke tubuar 34 pikë, aq sa ka edhe Llapi në pozitën e dytë dhe gjashtë më pak se Ballkani, që është në pozitën e parë.

FC Drita, nga 54 pikë të mundshme, ka marrë 34 pikë, apo 62,96 përqind të pikëve. Gjatë stinorit vjeshtor, FC Drita ia doli që 25 herë të tundë portat e kundërshtarëve, apo mesatarisht 1,39 gola për ndeshje, duke patur sulmin e tretë më të mirë në Superligë.

Sa i përket golave të pranuar, ekipi bardh e kaltër, gjegjësisht portieri i tyre, Florian Smakiqi, ka pranuar 12 gola, apo mesatarisht 0,67 gola për ndeshje, duke patur mbrojtjen më të mirë në Superligë. Në tetë ndeshje porta e Dritës mbeti e paprekur dhe edhe në këtë aspekt është ekipi më i mirë në ligë.

Golashënuesi më i mirë i Dritës ishte Blerim Krasniqi me shtatë gola, i pasuar nga Besnik Krasniqi që shënoi pesë herë, derisa nga tri herë shënuan Albin Prapashtica, Almir Ajzeraj dhe Blend Baftiu.

Duke qenë një ekip tejet serioz dhe ndër më të mirët në Kosovë viteve të fundit, FC Drita pritet që të jetë një ndër konkurrentët më të denjë për titull kampioni deri në frymën e fundit, derisa do të zhvillojë luftë të madhe për të fituar Kupën e Kosovës në Futboll. Mbesa viti që vjen mund të sjellë shumë befasi te FC Drita, e cila gjithmonë ka qenë ndër ekipet që ka ditur të sjellë lojtarë me nam./kryelajmi.com/.

You Might Also Like