Nga sot, qytetarët e Gjilanit mund t’i marrin nëntë shërbime në e-Kioskun para Drejtorisë së Administratës për disa sekonda, përfshirë ekstraktin e lindjes, certifikatën e lindjes, certifikatën e vendbanimit, certifikatën e shtetësisë dhe certifikatën e martesës.
Në promovimin e këtyre shërbimeve, drejtori i Administratës së Përgjithshme, Nazim Gagica, e ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen e madhe në realizimin e projektit, ndërkaq ka thënë se përveç shërbimeve të sipërpërmendura, e-Kiosku mundëson edhe paraqitjen e kërkesave, paraqitjen e ankesave dhe gjendjen e tatimit në pronë.
“Deri tani, e-Kiosku ka shërbyer vetem me ekstrakt të lindjes, ndërsa nga sot qytetarët mund të marrin nëntë shërbime. Është një avancim i sofwerit dhe ne jemi shumë të kënaqur që e bëmë edhe testin e parë me qytetarët tanë. Komuna e Gjilanit mbetet e përkushtuar që të avancoj shërbimet, duke ngritur cilësinë e tyre, andaj në vazhdimësi do t’i bëjë ato, në mënyrë që qytetarët të shërbehen sa më mirë”, tha Gagica.
Gagica ka paralajmëruar që shumë shpejt qytetarët e Gjilanit do të mund t’i marrin këto shërbime edhe në dy e-Kiosqe të tjera, për të vazhduar edhe me e-kiosqe në lokalitetet më të mëdha të Gjilanit sipas kërkesës së kryetarit Lutfi Haziri.
Qytetari i parë që e nxorri certifikatën e martesës ka qenë Halim Halimi, i cili u nda shumë i kënaqur që brenda pak sekondash e mori dokumentin e tij pa pritje në radhë.
Po ashtu, në e-Kiosk mund të nxjerren certifikatat edhe për anëtarët e familjes, gjegjësisht prindi mund të nxjerrë certifikatën për bashkëshorten/in dhe për fëmijët, ndërsa parakusht për t’u shërbyer me këto certifikata është letërnjoftimi.
Përndryshe, Komuna e Gjilanit e ka hapur zyrtarisht projektin e-Kiosqeve në janar të këtij viti, derisa ka implementuar edhe projekte të tjera në administratë, si nxjerrjen e certifikatave përmes aplikimit online (Home-Komuna), regjistrin online të procedurave administrative, shërbimet e tipit të të gjitha llojeve të pagesave përmes zyrave të hapura, e Puna në Distancë, derisa është duke u punuar në implementimin e programit Smart City për komunikimin e drejtpërdrejt të qytetarit me zyrtarët komunalë.
Ndërkohë, duhet theksuar në kuadër të projektit të Komunës së Gjilanit të financuar nga Komisioni Europian, janë vendosur edhe dy kiosqe të interaktimit, në të cilën gjendjen informata të rëndësishme për zejtarët, biografitë e tyre dhe numrat kontaktues.