Gjilani ishte në prag të humbjes pas një kohe të gjatë, por një gol në minutën shtesë i ka shpëtuar ata.
Në pjesën e parë Gjilanit iu anulua një gol me motivacion se ai ishte shënuar nga një pozitë jashtë loje.
Të parët në epërsi kanë ardhur mysafiret, kur pas një kundërsulmi të shpejtë nga e majta, Veliu harkoi në brendi të zonës, kurse Francisco Rivera qëlloi topin me kokë, i cili nga shtylla e djathtë pingule e Koliçit, u fut në rrjetë për 0:1. Ky edhe ishte rezultati i pjesëlojës së parë.
Në pjesëlojën e dytë, Gjilani me të gjitha forcat u hodh në sulm, por topi po qarkullonte shumë ngadalë, derisa në disa raste diskutabile në këtë ndeshje nuk u thirr VAR-i. Një moment vendimtar i kësaj ndeshje doli të jetë minuta 81, kur golashënuesi Francisko Rivera pa nevojë nga prapa qëlloi lojtarin e Gjilanit dhe u ndëshkua me karton të kuq. Gjilanit një gol ia pamundësoi tërthorësja, kur Halili nga afërsia e qëlloi atë.
Me një lojtar më shumë në fushë, Gjilani shtoi presionin dhe në minutën e parë shtesë, pas një harkimi të Halilit nga e majta, në brendi më së miri u gjet Kelmendi, i cili nga afërsia me një gjuajtje të saktë barazoi në 1:1.