Futboll

Haxhimusa: Fitorja objektivi ynë, ia kemi borxh tifozëve

 
Një ditë para derbit lokal, SC Gjilani – FC DRITA, klubi ynë ka mbajtur konferencë për media, ku u paraqitën kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Betim Haxhimusa.
Kryetrajneri Nuhiu theksoi rëndësinë e kësaj ndeshje, për peshën e derbit të qytetit dhe dëshirën për ta fituar atë.
Trajneri Nuhiu tha se tashmë e njohin kundërshtarin, ndërsa te DRITA ka një besim dhe motiv të veçantë.
“Kemi analizuar kundërshtarin dhe e njohim shumë mirë, sepse tashmë jemi përballur me ta. Bëhet fjalë për skuadër e cila po vepron shumë mirë në grup dhe kanë individ që dijnë të zgjidhin ndeshjen. Kemi marrë të gjitha masat, jemi munduar që gabimet që kemi bërë në takimin e parë të jemi më të kujdesshëm e t’i përmirësojmë. Shoh te skuadra një motiv të veçantë, sepse edhe ndeshja është e tillë. Kam besim shumë se ashtu si e kemi përgtitur ndeshjen dhe ekipi do të performojnë në atë mënyrë, duke qenë të kujdesshëm e të përgjegjshëm. Kështu pikat e dobëta që mund të paraqiten në ndeshje nga kundërshtari, t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë”, ka thënë Nuhiu.
Ndërsa, për futbollistin Betim Haxhimusa ndeshja e xhiros së 15-të është ndeshja e krenarisë, për të cilën synohet vetëm fitorja.
“Është gjithmonë nder dhe kënaqësi ta përjetosh këtë derbi si lojtar dhe më gëzon fakti që bashkëlojtarët janë në formë të mirë. Objektivi ynë është vetëm fitorja nesër, ta bëjmë maksimumin në të gjitha detyrat që na jep trajneri. Motivi në derbi është gjithmonë më i madh, janë tifozët dhe luftohet për krenarinë e qytetit, prandaj një fitore ia kemi borxh edhe tifozëve tanë”Intelektualët”, të cilët shpresoj t’i gëzojmë nesër”, ka thënë Haxhimusa.
Trajneri Nuhiu theksoi se fitorja në derbi do të ngriste moralin e skuadrës, por nuk do të jetë vendimtare për vazhdimësinë e kampionatit, pasi ende ka shumë ndeshje dhe kampionati është i barabartë.
Nuhiu njoftoi se për këtë ndeshje janë të gatshëm të gjithë futbollistët, përpos Muharrem Jashari.

You Might Also Like