Gjilan

Haziri: Gjaku i Pajazit Ahmetit e Alban Ajetit bën dritë mbi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës​

Gjilan, 15 prill 2020 – Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë sot homazhe tek bustet e dëshmorëve Pajazit Ahmeti e Alban Ajeti, të cilët janë dëshmorët e parë të Betejes së lavdishmë të Zhegocit.

“21 vjetori i kryengritjes së madhe për çlirim dhe liri të Kosovës, këtë vit na ka zënë me përballjen e madhe të virusit Covid-19. Është përvjetori i rënies së dëshmorëve të pare, Pajazit Ahmetit dhe Alban Ajetit, të cilët do t’i kujtojmë gjithmonë sepse ata janë dy shpirta të bardhë që bëjnë dritë mbi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ky gjak i derdhur i tyre shënon kthesën e madhe të kryengritjes në Anamoravë. Lufta e Zhegovcit, çlirimtarët në Zhegoc dhe në malësinë e Gollakut më vonë dhe në gjithë zonën kufitare të Republikës sonë, ata arritën ta ujitin me gjakun e tyre”, ka thënë pas homazheve.

“Sot si gjithmonë, e ne veçanti këtë vit, ne i kujtojmë këta dy dëshmorë dhe të gjithë dëshmorët e tjerë të Zonës së Karadakut, luftëtarët e UCK-së, të gjallët, veteranët e luftës, invalidët, familjarët e tyre që janë këtu dhe do t’u qëndrojmë afër, sepse e kemi për borxh. Ata dhanë më të shtrenjtit, më të çmuarit, prej zemrës së tyre që Kosovës i dhanë dritë dhe liri. Lavdi e përjetshme Pajës e Albanit, lavdi të gjithë dëshmorëve dhe një falënderim deri në gjunjëzim për të gjithë luftëtarët e lirisë që me kontribut dhe sakrificë luftuan për këtë ditë të bardhë të sotshme”, ka thënë ai.

Kurse, në fjalën e tij, babai i dëshmorit Alban Ajeti, Shyqeriu, ka thënë se sot po përkujtojmë dëshmorët e Zonës së Karadakut të cilët kanë ra në luftën për liri e me këtë rast kujtojmë të gjithë dëshmorët e rënë për liri.

Ndërsa, bashkëshortja e Pajazit Ahmetit, Fatmja, ka thënë se kjo ditë është shumë e rëndë, por edhe krenari njëkohësisht.

“Një falënderim i madh për kryetarin Haziri, i cili vazhdimisht na ka mbështetur dhe ka qenë në krah me ne në të gjitha aktivitetet dhe nderimet për dëshmorët”, ka thënë ajo.​

You Might Also Like