Në komunën e Gjilanit jetojnë shumë banorë nga Lugina e Preshevës, të cilët nuk kanë dokumente as të Kosovës e as të Serbisë dhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, tash e 16 vite zgjidhja nuk u gjet.
Të dëbuarit nga Lugina kanë probleme me nënshtetësi dhe gjithashtu Rezoluta e shumë përfolur për Luginën asnjëherë nuk është zbatuar në praktikë.
Kushtrim Kadriu nga Lëvizja “Vatra” tha se janë bërë 11 vite që ky problem po na përcjellë. “Kemi dy lloje të dëbimeve, dëbimi i heshtur para viteve 1999, kurse më skandalozja është dëbimi pas viteve 1999”.
Kadriu tha se të dëbuarit ndodhen në Fushë Kosovë, e Gjilan. “Ne jemi të interesuar që të kthehen të dëbuarit, por ky kthim kushton dhe don investime. Komuna ka bërë pak për kthimin e të dëbuarve. LDK më herët ka dhënë 10 mijë euro dhe Komuna 2000 euro për të kthyerit e Luginës. Politika kosovare ka bërë pak për këta qytetar. Na kanë lodhur me demarkacionin a po harrohen trojet shqiptare të Luginës. Për këtë problem kurrë nuk është folur. Edhe politika e Luginës është e përçarë dhe po dalim jo serioz. Ne po vuajmë sepse tash e 17 vite s`kemi dokumente, nuk marrim pensione, fëmijët nuk shkojnë në shkollë. Në Malësinë e Bujanocit nuk ka kushte për kthim, atje kemi një gjendje shtetrrethimi sepse e kemi prezent xhandarmërinë serbe. Politika po ka frikë të merret me Luginën shkaku i BE-së dhe reagimeve ndërkombëtare” tha Kadriu.
Xhevat Demiri nga AAK-ja tha se ka nostalgji për pjesën e Luginës sepse i takon atyre trojeve. “Sa janë të integruar me komunitetin dhe sa e përkrah Gjilani këtë komunitet. Bindja ime është se pak fare, shumë pak. Ata janë lënë anash dhe se asnjëra Qeveri s`është marrë seriozisht me trajtimin e tyre. Shumica e këtyre hallexhinjve janë ose lypsarë ose njerëz që bredhin rrugëve. Ky komunitet nuk ka nënshtetësi, janë mbi 1000 persona që kanë probleme serioze. Kosova duhet tua shtrijë dorën këtyre hallexhinjve, ata njerëz presin dorën e shtetit dhe të institucioneve. Edhe Shqipëria edhe Kosova duhet të flasin dhe të koordinohen dhe politikanë e Luginës të cilët fatkeqësisht janë të përçarë” tha Demiri derisa ka dhënë vërejtje edhe për Komunën e Gjilanit edhe për Qeverinë se nuk është kujdesur për këtë kategori sa duhet.
Sahit Abazi, shefi i grupit të PDK-së tha se këtë problem do ta trajtojmë edhe në Kuvendin Komunal të Gjilanit. “Për ne është interes i jashtëzakonshëm që të merren masa lehtësuese për regjistrimin e njerëzve të Luginës. Duhet të trajtohen barabarësisht, duhet të shkollohen fëmijët e tyre. Nuk kanë trajtim si duhet ish pjesëtarët e UÇPMB-së.
Duhet të zbatohet Rezoluta e Luginës sepse ajo nuk është zbatuar, derisa kemi rregullore komunale që nuk zbatohen në këtë drejtim” tha Abazi.
Abazi tha se nuk ka nevojë që të keqpërdoret ky komunitet, sepse problemi është i përbashkët. “Po bëhet një diskriminim i sotisfikuar nga Serbia për ta shpërngulur edhe ata pak shqiptarë që kanë mbetur në Luginë, derisa ne po bëjmë sehir karshi kësaj situate” tha Abazi.
Murat Hoxha, deputet në Parlamentin e Kosovës tha se Lugina ka probleme tjera pos dokumenteve. “Duhet të dihet saktë numri i këtyre të dëbuarve, duhet të krijohet karta sociale. Duhet të kemi një strategji të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë. Janë probleme të zgjidhura këto. Edhe Lugina duhet të jetë më e organizuar. Kërkesat janë legjitime dhe të arsyeshme” tha Hoxha.
Nuhi Nuhiu nga AKR-ja tha se dyshtetësia duhet të ju njihet këtyre banorëve. “Duhet të protestohet nëse ka nevojë, ama edhe politikanët e Luginës duhet të jenë unik në qëndrime. Komuna e Gjilanit po bënë propagandë vetëm për vota” tha Nuhiu.
Fatmir Selimi tha se Kuvendi i Kosovës është shkelësi më i madh i të drejtave të qytetarëve.
Shaban Terziu nga shoqëria civile tha se është e pafalshme që banorët e dëbuar nuk kanë dokumente dhe janë jetim dhe kjo është dhimbje për ne. “Këta banorë duan zgjidhje jo shtyrje e llafe të kota”.
Kushtrim Kadriu tha se janë 11 mijë e 356 banorë që nga viti 2005. “Edhe vetën nuk po e dom shumë, jashtë kosovarëve që po na trajtojnë jo në mënyrë të duhur” u përgjigj Kadriu.
Ibrahim Sherifi nga Bujanoci i dëbuar ka akuzuar zyrtarët e komunës dhe ata të Qeverisë se nuk po bëjnë sa duhet për të dëbuarit.
Alfred Halili nga fshati Ranatoc jetojmë në vijën kufitare dhe kemi probleme serioze në kalimin e vijës kufitare. “Ecim kilometra të tërë për të hyrë në Kosovë dhe jemi pa dokumente”.
Debati është organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” me temën :”Sa dhe si po kujdesemi për të dëbuarit e Luginës”, kurse është mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung me seli në Prishtinë.