Gjilan, 2 prill 2021 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në 22 vjetorin e masakrës së Lladovës, ka kujtuar sakrificën që banorët e këtij fshati kanë kaluar.
Haziri ka thënë se martirët e Lladovës janë themeli i lirisë dhe gjunjëzohemi para veprës së tyre
“Assesi nuk mundemi dhe nuk guxojmë ta harrojmë sakrificën që banorët e Lladovës dhe Karadakut kanë dhënë në luftën për liri. Aty është derdhur gjak që sot të jemi të lirë. Ai gjak është i njomë edhe sot dhe gjithmonë sa të jetë kjo jetë, sepse ata ranë në luftën për liri dhe të tillë do të mbeten vazhdimisht. Ata janë themeli i lirisë dhe gjunjëzohemi para veprës së tyre”, ka thënë kryetari Haziri.
“Ky fshat, por edhe Gjilani dhe e gjithë Anamorava, gjithmonë do ta mbajnë në mend këtë ditë të tmerrit që ndodhi këtu. Rrugët e këtij fshati dhe të kësaj ane, janë rrugët e lirisë për çka u sakrifikuan martirët e Lladovës”, ka shtuar Haziri.
Përndryshe, nga regjimi serb, në Lladovë u vranë mizorisht, Beqir Mahmuti (1953), Zijadin Mahmutit (1960), Daut Mahmuti (1963), Hevzi Ajeti (1970), Ganimete Ajeti (1977) dhe Ahmetali
Ajeti (1960), ky i fundit i vrarë dhe i zhdukur.
Po ashtu, në Gjilan është vrarë edhe Xhemail Ymeri nga Lladova, kurse i plagosur rëndë kishte mbetur Mefail Ajeti.