Gjilan

Haziri: Rexhep Mala e Nuhi Berisha ndezën shkëndijat e dritës që asnjëherë nuk u shuan

Gjilan, 11 janar 2019 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, kryesuesen e Kuvendit, ushtarakët e  FSK-së, Policisë së Kosovës, institucioneve të drejtësisë dhe me familjen Mala e Berisha, kanë ndezur flakadanin e “Flakës së Janarit 2019”.

Kryetari Haziri, ka thënë se këtë vit “Flaka e Janarit” i përkushtohet sikur çdo sesion tjetër heronjëve, dëshmorëve dhe të rënëve në luftën për liri, e posaqërisht të rënëve në janar, siç është Rexhep Mala e Nuhi Berisha.

“Janë këta dy kryengritës të mëdhenj që na mësuan se si fitohet liria dhe të drejtat. Ata nga një ‘istikam’ në “Lagjen e Trimave” në Prishtinë, bënë rezistencën e madhe patriotike dhe ndezën shkëndijat e dritës që asnjëherë nuk u shuan. Rënia e tyre gjithmonë do të kujtohet me lavdi dhe shpirti i tyre është dritë e pashterrshme për të jetuar e vepruar të lirë në Republikën e Kosovës. Bashkërisht do të vazhdojmë tutje që ta realizojmë idealin e tyre që shqiptarët të kenë të drejtat dhe të jenë të bashkuar e të barabartë me popujt tjerë në Ballkan, Evropë dhe në Botë”, ka thënë Haziri.

Ai, gjithashtu, ka potencuar se ky Flakadan për herë të parë në këtë edicion po ndizet pran shtatoreve të dy heronjëve, duke pohuar se edhe në të ardhmen do të ndizet në këtë vend.

Pas fjalës së tij kryetari Haziri ka ftuar dy familjet Mala e Berisha që të bëjnë ndezjen e dy flakadanëve në shenjë të rënies heroike të Rexhep Malës e Nuhi Berishës.

Përndryshe, Komuna e Gjilanit në këtë manifestim kulturor mbarëkombëtar, ka të parapara aktivitete në fusha dhe dimensione të ndryshme në art dhe kulturë në përgjithësi, për të nderuar veprën dhe kauzën e dëshmorëve e hreonjëve të rënë ndër vitesh në trojet shqiptare.

You Might Also Like