Gjilan

Hyrjen në tokë të vet po e konsiderojnë ilegale

Gjysmën e tokës e ka në Serbi e gjysmën e tokës e ka në Kosovë e hyrjen në tokë të vet po e konsiderojnë ilegale. Ngjashëm si ky qytetar nga Renatoci i Preshevës ka edhe shumë qytetarë të tjerë, këndej e andej kufirit.

“Na u premtua edhe rruga që deri në Llovcë ka më pak se tre kilometra, por përkundër kësaj deri te kjo rrugë jo që nuk ka qasje, por edhe nuk ka as ndonjë vendkalim kufitar, andaj na duhet të bëjmë qindra kilometra për të ardhur deri në Gjilan”, thotë Alfred Halili nga fshati Renatoc i Komunës së Preshevës.

Disa kilometra më tej në anën e kundërt, në Novosellë të Malësisë së Bujanocit, problemet janë më të mëdha, ngase shumë qytetarë janë pa dokumente. Xhemajl Halili, nga Novosella e Epërme, thotë se që nga viti 1994 djemtë e tij punojnë në një furrë, por që prej atëherë, as ata e as ky vet nuk kanë dokumente, ndonëse që nga viti 2003 deri më 2016 kanë nxjerrë një grumbull dokumentesh dhe nuk u bë asgjë.

Edhe Ibrahim Sherifi, ka 17 vite jeton në Gjilan. Ai thotë që të ketë shkuar edhe deri te zyra e zëvendësministrit të punëve të brendshme. I kishte njoftuar për problemin, atë që asnjë anëtar i familjes së tij nuk kishte dokumente të Kosovës dhe ishte sugjeruar që të nxjerrë dokumente nga shteti prej të cilit vijnë. Sherifi thotë se është e pamundur që në Bujanoc tashti të nxjerrin dokumentet, ngase shumë qytetarë atje i kanë humbur shtetësinë.

Sipas Kushtrim Kadriut, nga Lëvizja Vatra, në komunën e Gjilanit statistikat e vitit 2005 flasin se jetojnë 11356 banorë të zhvendosur nga Lugina e Preshevës. Sipas tij duhet bërë më shumë për këta banorë, ngase tashti në Malësi të Bujanocit nuk ka kushte për jetesë, atje ata po e humbin shtetësinë, kurse në Kosovë nuk po mund të nxjerrin dokumente.

You Might Also Like