Edhe këtë vit, Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” ishte ndër shkollat më joshëse për semimaturantët gjilanas, andaj që në afatin e qershorit është plotësuar numri i paraparë për regjistrim në këtë shkollë.
Pas afatit treditor për paraqitjen e kërkesave për regjistrim në këtë shkollë është tejkaluar numri i atyre që kanë konkurruar në raport me numrin e vendeve të lira, andaj qysh tani vendet për regjistrim janë plotësuar.
Duhet cekur se kriteret për regjistrim në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” kanë qenë të parapara asisoj që mundëson regjistrimin e nxënësve më të mirë, të atyre që kanë nota të mira, që kanë arritur të kenë sukses në lëndët prioritare biologji, kimi, fizikë e matematikë dhe që së paku kishin mbledhur mbi dhjetë pikë gjatë testit të semimaturës nga lëndët prioritare.
Siç kanë theksuar anëtarët e komisionit për pranimin e nxënësve, Sami Selishta, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Frënge dhe Sami Durmishi, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, pas trajtimit të dokumentacionit dhe përmbajtjes së kritereve, në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” janë pranuar 217 nxënës, derisa shkaku i konkurrencës janë eliminuar 17 nxënës të tjerë.
Ndryshe, pas matjes së rezultateve, nxënësi me më shumë pikë që është regjistruar kishte 99,60 pikë nga 100 të mundshmet, kurse i fundit që kaloi pragun kishte 79.90 pikë./kryelajmi.com/.



