Zekirija Ramadani largohet nga Drita pas 974 ditësh
Zekirija Ramadani i ka dhënë fund aventurës së tij në stolin e Dritës pas dy vitesh e tetë muajsh, apo 974 ditësh.
Gjatë kësaj periudhe, Ramadani drejtoi Dritën në 129 ndeshje, duke regjistruar 68 fitore, 25 barazime dhe 36 humbje. Me të në stol, skuadra fitoi dy tituj kampioni të Kosovës dhe një Superkupë, ndërsa arriti edhe kualifikimin historik në fazën e ligës së Ligës së Konferencës.
Megjithatë, periudha e fundit e tij në klub u shoqërua me rezultate negative. Eliminimi nga Champions League i kushtoi Dritës rreth 1.7 milionë euro, ndërsa skuadra regjistroi 10 humbje në 10 ndeshjet e fundit. Po ashtu, raportohet se një pjesë e futbollistëve kishin humbur mbështetjen ndaj trajnerit.
Pavarësisht fundit të vështirë, Ramadani mbetet trajneri i vetëm që ka fituar dy tituj kampioni radhazi me Dritën dhe një nga figurat më të suksesshme në historinë e klubit.





